Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka qëndruar në Washington D.C. ku ka marrë pjesë në panelin “Investing in the Future: Can Entrepreneurs ‘Fix’ the Balkan.
Në këtë panel, ku pjesëmarrës ishin edhe ministrat tjerë të jashtëm të Ballkanit, Pacolli ka paraqitur programin e tij për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Më poshtë ju sjellim të plotë fjalimin e tij:
Programi im për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor
Si një ndërmarrës me kredenciale ndërkombëtare që herët kam qenë i vetëdijshëm, se vetëm zhvillimi ekonomik do të mund të lehtësonte në mënyrën më të natyrshme konfliktualitetin ndër-etnik të rajonit tonë.
Shumëkush sot shtron pyetjen se pse ne jemi paradoksalisht rajoni më i varfër në Evropë?Mbase edhe kanë të drejtë.
Sot, në rajonin tonë jetojnë rreth 20 milionë banorë, që kanë një mesatare të ulët të të ardhurave për kokë banori në afro 10 mijë euro në vit. A është kjo gjendja, që ne dhe qytetarët e këtij rajoni duam? Gjithsesi, që jo. Pa ndonjë analizë të thellë të trendëve aktualë dhe parashikueshmërisë së zhvillimeve ekonomike, unë besoj fuqishëm se ky rajon ofron mundësi për të jetuar me të ardhura shumëfish më të mëdha se këto që janë tani.
Arsyeja është e thjeshtë dhe logjike: sepse ka shumë burime natyrore, ato të kualifikuara njerëzore dhe afërsi me tregjet e rëndësishme globale. Është thjeshtë në duart tona se si i lidhim tre pikat kryesore: burimet njerëzore e natyrore, kapitalin dhe qasjen në treg. Ju mund të më pyesni edhe për pyetjen, siç disa preferojnë ta quajnë një milionëshe, por unë di vetëm përgjigjen se cila është rruga përpara:
Duhet ndryshim. Ndryshim i statuskuosë së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe të ndërmarrësisë. Po e nisë me këtë të fundit, për të cilën, në fakt e kisha recetën time qysh herët.
Në vitin 2000, themelova Unionin e Ndërmarrësve shqiptarë.
Me synimin e njëjtë, gjashtë vite më vonë, kur Kosova ende nuk ishte e pavarur, dhe kur të flitej për nisma rajonale mund të dukej ende utopike dhe herë herë mund edhe të sulmoheshe si pacifist heretik, unë themelova me ndihmën e njërit nga Think-Tank më me ndikimin në politikë-bërjen amerikane –CSIS, Fondacionin për Zhvillimin Ekonomik të Europës Juglindore, në mënyrë që të kërkoheshin mundësi për të lehtësuar bashkëpunimin ekonomik në mes shteteve të këtij rajoni, krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e zhvillimit dhe rritjen e vetë-dijes së qytetarëve mbi të drejtat dhe obligimet e tyre.
Bashkëpunimi në Evropën Juglindore vërtetë nuk ka alternativë. Ai, do ta bëjë rajonin më shumë atraktiv për investime të jashtme, përderisa lëvizja e lirë e qytetarëve, ideve, mallrave dhe kapitalit do ta konsolidojë besimin dhe respektin e dy-anshëm përgjatë vendeve të ndara dhe shoqërive të fragmentuara.
Disa vite më vonë, respektivisht më 2011, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, shpalla edhe Platformën për krijimin e Unionit Ekonomik Kombëtar.
Këto ishin thjeshtë disa nga përpjekjet e mija si një ndërmarrës para se të vendosja t’i përkushtohem politikës dhe me një qëllim të vetëm: për t’i dhënë së pari vendit, por edhe rajonit softuerin për zhvillim e vrullshëm ekonomik.
Për t’i dhënë këtë mundësi botës së biznesit të vendit tonë dhe atij të rajonit. Elitave politike. Shqiptarëve në veçanti, të cilët vetëm fuqizohen nga hapja e kufijve në rajon, sepse ata janë njëri ndër kombet më të mëdha të Ballkanit, megjithëse të ndarë në disa shtete.
Softueri apo nëse dëshironi mund ta quani edhe si kurën time për sëmundjet politike të Ballkanit parashikonte:
• prishje të statuskuosë në marrëdhëniet ekonomike midis vendeve tona, lojtarëve kryesorë të tij, pra thjeshtë demokratizim të tregut. Kjo, natyrisht që do të sillte lojtarë të rinj brenda hapësirës tonë, por dhe joshjen e atyre nga jashtë;
• prishje të monopoleve: pozitave dominante të shteteve të caktuara, në veçanti shtetit fqinj — Serbisë dhe kompanive të caktuara në bujqësi, energji dhe fusha tjera;
• injektim të praktikave më të mira organizative në kompanitë tona;
• Partneritete Publiko Private;
• ndryshim të modeleve të zhvillimit, duke liberalizuar ekonomitë tona,
• duke rritur peshën e shërbimeve,
• modernizuar industrinë e minierave nëpërmjet menaxhimit modern, akcesit në tregun e kapitaleve;
• fuqizuar infrastrukturën e të gjitha llojeve;
• shfrytëzuar më së miri burimet njerëzore dhe natyrore të vendeve të rajonit:
• duke çliruar energji të reja të subjekteve ekonomike të themeluara nga shqiptarët, por plotësisht të hapura dhe për bashkëpunime ndër-ballkanike.
Unë nga natyra nuk jam politikan konvencional. Dhe, për këtë po e marrë edhe një shembull: Për mua nuk është as normale e as e logjikshme të mbajmë në këmbë kompani shtetërore jo-funksionale në trafikun ajror, atë hekurudhor, në sektorin e mjekësisë, në arsim dhe fusha respektive.
Ka ardhur koha, që të themelohen holldingje rajonale, në këto sektorë. Dhe, kushti i vetëm për këtë është, që në këto holldingje të ftohen patjetër si aksionerë kompani profesionale dhe me kredenciale të dëshmuara ndërkombëtare, duke përfshirë kompanitë e interesuara amerikane.
Mos ta harrojmë tregun 20 milionësh në këtë pjesë. Rajonin me rëndësi strategjike, ku kalojnë dy korridore të rëndësishme ndërkombëtare transporti, si ai numër 10 dhe numër 8, që fatkeqësisht deri më tash janë shfrytëzuar më së miri vetëm prej trafiqeve kriminale.
Mendoj se rajoni në përgjithësi dhe Kosova në veçanti mund të marrë financime të mëdha edhe në ndërmarrësi ndër-etnike dhe për këta ka shumë arsye bindëse:
Ne, ndodhemi në mes të Europës, kemi popullsi të reja në moshë, shumë dinamike dhe me shkathtësi në fushën e teknologjive të informacionit.
Për të arritur qëllimin tonë të përbashkët të zhvillimit të vrullshëm ekonomik ne duhet të përdorim forma të reja tërheqjeje të këtyre investimeve. Andaj, unë kam identifikuar si një taktikë të mirë tërheqëse të këtyre investimeve, madje për të rritur bashkëpunimin ndër-etnik, krijimin e Zonave të Lira ekonomike.
Ne kërkojmë nga institucionet financiare, atyre të Bashkimit Europian dhe të tjera ta marrin seriozisht këtë rrugë të sprovuar.
Fatkeqësisht, këto ide të miat dhe ide të ngjashme morën kohë, që të nisin të jetësohen.
Helmi i ndarjes ndër-etnike ishte mbjellë thellë. Duhej njëlloj rigjenerimi i klasës politike të fund-shekullit të 20-të, që të hapeshin rrugë të reja. Bashkimi Europian u ndërgjegjësua vetëm shumë vonë për ndjekjen e një kursi të tillë.
Procesi i Berlinit, nismë kjo rajonale e këtij vitit, e inicuar nga Bashkimi Europian me në krye Gjermaninë, është njëra prej rrugëve të bashkëpunimit ballkanik mes vete dhe me BE-në, që parashikon:
1) zhvillimin e kompanive të vogla dhe të mesme;
2) atë teknologjive të informacionit dhe;
3) parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.
Le të shpresojmë se Shtetet e Bashkuara do të gjejnë stimujt e duhur për t’u përfshirë në këtë sfidë të madhe zhvillimore. Nëse ata e kishin recetën për ri-ndërtimin e shteteve të ndara dhe shoqërive të fragmentuara të Europës nëpërmjet Planit Marshall, atëherë si mund të mos e kenë recetën e njëjtë edhe për ne.
Unë nuk besoj kurrë se rajoni ynë, me të gjitha ato mundësi që ofron dhe me një vendndodhje strategjike në mes të Europës do të jetë i pafuqishëm për t’u bërë një hapësirë e jetueshme dhe e begatë. Për të gjithë.
Ashtu siç nuk dua të besoj se Bashkimi Europian dhe SHBA-të do të lejojnë, që rajoni ynë të shndërrohet në një vrimë të zezë të trafiqeve ndërkombëtare, të burimit të krimit të organizuar dhe të terrorizmit.
Jam dhe mbetem optimist. Me recetën e zhvillimit ekonomik.