Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka bërë një krahasim mes Bashkimit Europian dhe UEFA-s sa i përket raportit të tyre me Kosovën, njofton Klan Kosova.
Përmes një postimi në Twitter, Pacolli ka thënë që në këtë aspekt UEFA është më “parimore” në raport me Kosovën.
“Më vjen mirë që shoh se UEFA ka një politikë më parimore dhe më të qartë për Kosovën se sa BE-ja. Të gjitha vendet e UEFA-s u “obliguan” të pranojnë të luajnë me Kosovën”, ka shkruar ai.
Pacolli postimit në Twitter ia ka bashkangjitur edhe videon në të cilën Presidenti i UEFA-së, Aleksandër Çeferin ka thënë se secili shtet anëtar i kësaj organizate është i obliguar që ta presë Përfaqësuesen e Kosovës në vendin e vet, por edhe të shkojë në Prishtinë.
Në këtë postim ai ka etiketuar Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Frederica Mogherini dhe komisarin për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn.