Pacolli mbështet marshin për ish-krerët e UÇK-së

Prishtinë | 30 Mar 2023 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i Kosovës dhe njëherësh kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se mbështet marshin për drejtësi në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë.

“Përkrahi fuqishëm marshin për drejtësi, sepse sipas tij, nuk mund të heshtim kur po na sulmohet historia, kur gjykohet lufta jonë për liri dhe pavarësi dhe kur ata që bënë gjenocidin në Kosovë sot ecin të lirë në Beograd dhe drejtojnë çdo instancë shtetërore në Serbi”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë se e mbështet marshin për drejtësi dhe ka bërë thirrje që të jemi të gjithë në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare.

“Ne nuk guxojmë të lejojmë që kapitulli më i ndritur i historisë së Kosovës të rishkruhet me agjendën dhe lapsin e Beogradit”, ka shkruar tutje ai në Facebook.

Javën e ardhshme fillon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim prej dy vitesh e gjysmë.

Pacolli, duke deklaruar mbështetjen e tij për marshin, ka shtuar se ne si kosovarë nuk mund të heshtim kur ata mbahen në paraburgim për dy vjet e gjysmë, duke shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.

“Kjo bëhet më e vështirë kur krerët e gjenocidit që serbët bënë në Kosovë janë liruar nga Tribunali i Hagës dhe disa prej tyre kanë qëndruar në Beograd gjatë procesit”, ka thënë tutje ai.

Të ngjashme