Pacolli: Nëse s’ndryshon logjika e bashkëjetesës politike, zgjedhjet e reja s’janë zgjidhje por “restart i të njëjtit problem”

Prishtinë | 02 Tet 2025 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka treguar dy skenarët e mundshëm politik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar pa zgjedhjen edhe të nënkryetarit të Kuvendit nga pakica serbe.

Pacolli në një intervistë për FrontOnline, thotë se nëse partitë shqiptare nuk e votojnë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës e që do të mund të vinte nga Lista Serbe, procesi i konstituimit do të bllokohej politikisht dhe juridikisht.

‘’Kushtetuta e Kosovës, përmes mekanizmave të demokracisë konsensuale, kërkon që për konstituimin e plotë të Kuvendit dhe zgjedhjen e organeve udhëheqëse (sidomos Kryetarit të Kuvendit), të ketë edhe votën e komuniteteve jo-shumicë — përfshirë serbët. Nëse shumica e deputetëve shqiptarë refuzojnë kategorikisht çdo kandidat nga Lista Serbe, atëherë praktikisht Procesi bllokohet juridikisht dhe politikisht’’, ka thënë ai.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli për FrontOnline ka folur për krizën politike në vend.

‘’Duke parë qëndrimet e deritanishme të subjekteve politike, janë dy skenarë realistë: Skenari pragmatik: Në ditët e fundit para skadimit të afatit, bëhet një marrëveshje taktike — jo domosdoshmërisht politike — vetëm për ta kaluar fazën e konstituimit. Kjo mund të ndodhë në formën e një kompromisi minimal: p.sh. votohet kandidati i Listës Serbe, por me marrëveshje që posti të mbetet simbolik ose i kufizuar në kompetenca. Skenari konfliktual: Asnjë lëvizje nuk ndodh dhe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja. Duke parë klimën aktuale të mosbesimit, ky skenar ka marrë gjithnjë e më shumë peshë’’, thekson Pacolli.

Mes tjerash ai tha se në vend në që të ulen në tryezë dhe të kërkojnë një model funksional për garantimin e stabilitetit institucional, secili kamp politik është fokusu në kalkulime të ngushta elektorale

‘’Në vend që të ulen në tryezë dhe të kërkojnë një model funksional për garantimin e stabilitetit institucional, secili kamp politik është fokusu në kalkulime të ngushta elektorale dhe retorikë kundërpalësh. Produkti i kësaj qasjeje është bllokada që po e paguan vendi, jo politikanët’’ deklaron Pacolli.

Pacolli thotë se Kosova nuk ka problem vetëm me konstituimin e Kuvendit, ka problem me modelin e vet shtetformues, duke paralajmëruar ose kompromis të dhimbshëm, ose zgjedhje të reja.

 ‘’Pra, po — përgjegjësia është e përbashkët, por faji më i madh bie mbi lidershipin aktual, i cili ka detyrimin kushtetues dhe moral për të ofruar zgjidhje, jo justifikime. Kosova nuk ka problem vetëm me konstituimin e Kuvendit — ka problem me modelin e vet shtetformues. O do të zgjedhet me kompromis të dhimbshëm, o do të shkojë në zgjedhje të reja që ka gjasa të prodhojnë të njëjtin bllokim. Nëse nuk ndryshon logjika e bashkëjetesës politike, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje — por “restart i të njëjtit problem” përfundoi Pacolli.

Të ngjashme