Qeveria e Kosovës nuk është distancuar nga oferta që zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i ka bërë kryediplomatit serb, Ivica Daçiq, për të vendosur bashkërisht që Mitrovica Veriore të bëhet zonë e lirë tregtare.
Nga jashtë Qeverisë, deklarata është cilësuar si shumë e rrezikshme, shkruan sot Koha Ditore.
Pacolli, i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme, ndodhet në Washington.
Një ditë më parë, politikani miliarder i Kosovës atje ka folur në konferencën e Këshillit të Atlantikut me temën “Po vjen stuhia? Formësimi i së ardhmes së Ballkanit në epokën e pasigurisë”. Gjatë fjalimit ka shtruar nevojën që të zvogëlohet burokracia, të forcohet ndërmarrësia private dhe të sillen lojtarët globalë në rajon..