Behgjet Pacolli u ka thënë Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, se nëse brenda dhjetë ditëve nuk merren vesh për formimin e Qeverisë, atëherë qëndrimi i tij në koalicion është i pakuptimtë
Koalicioni PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës edhe pse e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar.
Ky koalicioni ka kërkuar që të mërkurën e ardhshme të ketë edhe një takim konsultativ mes partive në mënyrë që, siç kanë thënë ata, të enjten ose të premten e javës së ardhshme të caktohet seanca e radhës, shkruan Zeri.
Në seancën e së enjtes (sot), të thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci, pritet të marrin pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe ata të koalicionit LAA.
Këta të fundit janë shprehur të sigurt se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, i cili deri më tash është kandidati i vetëm zyrtar i këtij koalicionit.
Në anën tjetër kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se i ka thënë kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti, se nëse brenda dhjetë ditëve nuk merren vesh për formimin e Qeverisë, atëherë qëndrimi i tij në koalicion është i pakuptimtë.