Pacolli: Përjashtimi nga Samiti i Demokracisë, shqetësues dhe dëm i madh për Kosovën

Prishtinë | 05 Nën 2021 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli e ka quajtur përjashtimin e Kosovës nga Samiti i Demokracisë po aq shqetësues sa edhe nevojë për të reflektuar se ku po shkon Kosova.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kryeministri Kurti tashmë ka marrë atë që donte, dhe në dëm për vendin.

“Kryeministri Kurti mori atë që donte. Nga Shtëpia e Bardhë, jo e kuqja, apo e gjelbërta, u vendos në grupin e shteteve që kanë vijë të kuqe nga Shtëpia e Bardhë, dëm i madh për Kosovën”, ka shkruar Pacolli.

Postimi i plotë i Pacollit:

Përjashtimi i Kosovës nga Samiti i Demokracisë, i cili ka qenë projekti i politikës së jashtme të Presidentit Biden, është po aq shqetësues sa edhe nevojë për të reflektuar se ku po shkon Kosova.
Është hera e parë që Kosova përjashtohet nga një Samit i Shoqërive të Lira, samit ku Kosova duhet të ishte e para në rajon. Kosova më shumë se kurrë më parë ka nevojë të thyejë ciklin e izolimit. Shteti ynë duhet të jetë në forume shumëpalëshe si ky forum, por duhet të ketë edhe angazhim bilateral.
Asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që për më shumë se 7 muaj qeveria të mos e vizitojë Uashingtonin dhe as që një lider kosovar të mos takohet me homologët e tyre amerikanë. Kjo nuk ndodhi as gjatë Asamblesë se Përgjithshme të OKB-së.
Nuk i bën Kosovës nder të mbetët së bashku në grup me Vuçiçin, Dodikun dhe Putinin!
Përkundrazi është një kambanë alarmi!!!!!
Kosova në këto vite dhe muaj është treguar e pasinqertë ndaj aleancës me SHBA-në. Joe Biden dhe John Kerry gjatë administratës së Obamës u ofenduan nga pushtetarët e sotëm ndërsa sot çdo kërkesë amerikane merret me dyshim, refuzohet apo përbuzet.
Kryeministri Kurti mori atë që donte. Nga Shtëpia e Bardhë, jo e kuqja, apo e gjelbërta, u vendos në grupin e shteteve që kanë vijë të kuqe nga Shtëpia e Bardhë.
Dëm i madh për Kosovën!

Të ngjashme