Pacolli: Presim që deri në fund të vitit Ukraina t’i pranojë pasaportat e Kosovës

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 14:15 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë raportit para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike tha se, pavarësisht tendencës së Serbisë për lobimin që Kosovës t’i tërheqin njohjet, MPJ-ja po harxhon kohë dhe mund për njohje të reja dhe ruajtjen e atyre që i ka Kosova.

“Kosova është njohur nga 116 vende dhe këto shtrihen në të gjithë globin. Kosova nuk është anëtare e OKB-së, Kosova nuk paraqet ndonjë forcë të madhe ekonomike. Njohjet mbesin një sfidë shumë e madhe. Nuk jam ndalë së vizituari shtetet në të gjitha kontinentet sidomos ato që nuk kanë njohur Kosovën”.

“Ne kemi punuar shumë dhe ju garantoj se jemi duke harxhuar kohë, shumë energji në mbajtjen e kësaj situate që kemi sot, gjegjësisht në ruajtjen e tyre. Procesi i njohjeve është i vështirë, shtetet që kanë pasë ndërmend ta njohin Kosovën e kanë njohur, por ne nuk ndalemi”.

Pacolli tregoi se është duke punuar për akreditim të ambasadorëve rezidentë apo jorezidentë në vende të ndryshme, raporton Ekonomia Online.

“Jemi duke punuar të akreditojmë ambasadorë rezidentë apo jo rezidentë në vende të ndryshme. Jemi duke punuar me Ukrainën për pranimin e pasaportave të Kosovës, jemi duke biseduar dalëngadalë dhe besoj që deri në fund vit të krijojmë mundësi që Ukraina të pranojë pasaportat e Kosovës”.

Vjosa Osmani, kryetare e komisionit nga radhët e LDK-së, tha se MPJ-ja nuk ka arritur të realizojë kuotën 50-50, d.m.th. 50% ambasadorë të karrierës dhe 50% ambasadorë politikë, raporton EO.

“Ju në raport keni përmendë veprime që janë marrë me qëllim të realizimit të kuotës 50-50, veprimet kanë pasë ndikimin e kundërt. Secili emërim politik në MPJ, sipas jush, është gjendje e trashëguar. Kjo duhet të jetë një çështje e ndarë nga partitë”.

“Mund të keni probleme brenda koaliconit, por ku do shohim veprime konkrete që të shohim koutën 50 me 50”.

Behgjet Pacolli, ministër i MPJ-së, premtoi se mandatin do ta dorëzojë me realizimin e kuotës 50 me 50 për emërimin e ambasadorëve.

“Ju kam thënë se do mundohemi me arritë kuotën 50-50, 50% të karrierës dhe 50% të emëruarit politik. Ka pasë dy emërime deri më tani, ambasadori në Gjermani ka qenë iniciativë e ardhur nga lart. Mandatin tim do ta dorëzoj me kuotë 50/50, dhe bile mbi 50 me ambasadorë të karrierës. Kosova është në zhvillim e sipër, tani po e zhvillon rrjetin e vet diplomatik, nuk kemi ambasadorë të karrierës mjaftueshëm, dhe duhet prapë me marrë njerëz nga jashtë”.

“6 ambasadorëve të karrierës iu ka skadu mandati dhe ftohen për t’u kthyer, për të shkuar në ndonjë vend tjetër. Kemi disa diplomatë që janë politikë por marrim lavdata çdo ditë për punën e tyre”.

Të ngjashme