Në kuadër të takimeve të shumta që kishte gjatë ditës me korin diplomatik rezident dhe jo-rezident në Kosovë, ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, takoi sot edhe ambasadoren e Greqisë në Kosovë, Konstantina Athanassiadou.
“Në një atmosferë miqësore të dy bashkëfolësit shprehen përkushtimin dhe zotimin e dyanshëm për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve konstruktive në mes të Kosovës dhe Greqisë në çështjet e interesit të përbashkët në mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Në kuadër të këtij takimi dhe diskutimeve dy-palëshe, në mes tjerash, Ambasadorja Athanassiadou ka shprehur shqetësimin e palës greke në lidhje me aktivitetet disa grupeve apo individëve të veçantë që shqetësojnë palën greke.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri, Pacolli,shprehu distancim karshi këtyre aktiviteteve private, të cilat nuk pasqyrojnë politikën e jashtme të Republikës së Kosovës dhe frymën miqësore në mes dy vendeve.