Në margjina të konsultimeve politike të rregullta vjetore të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ministrisë për Evropë dhe për Punë të Jashtme të Republikës së Francës, sot Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme zhvilloi një takim me përfaqësues të delegacionit francez të kryesuar nga Drejtoresha e Departamentit për Evropën Kontinentale në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Florence Mangin.
Në bashkëbisedim me Mangin, Ministri Pacolli e informoi atë për të arriturat e Republikës së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe me suksesin e arritur në Organizatën Ndërkombëtare Frankofone. Me këtë rast Pacolli theksoi se mbështetja e Francës në liberalizimin e vizave është e rëndësisë së veçantë për Kosovë.
Po ashtu Pacolli, sqaroi edhe synimet e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë aktive e zhvillimeve në organizata ndërkombëtare. Gjatë këtij takimi Drejtoresha Mangin konfirmoi qëndrimin se Franca përkrahë fuqishëm rrugëtimin e Kosovës në proces të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Theks i veçantë në kuadër të bashkëbisedimit mes Pacollit dhe Mangin zuri edhe rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, veçmas duke pasur parasysh mundësitë që Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim i ofron shkëmbimeve tregtare.
Në kuadër të takimit u vlerësua lart fryma e bashkëpunimit në kuadër të politikës së jashtme dhe diplomacisë mes Republikës së Kosovës dhe Francës, për çka Ministri Pacolli shprehi konsideratë dhe falënderim për rolin konstruktiv të Francës në kuadër të integrimit evropian si dhe në mbështetjen që i ka dhënë Kosovës përgjatë këtyre viteve.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës mban takime të rregullta vjetore me shumë vende, si proces i harmonizimit dhe koordinimit të veprimeve me vende përkrahëse të Republikës së Kosovës.