Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, po qëndron për vizitë në Bruksel, ku është takuar me deputeten e Parlamentit Europian, Tanja Fajon.
Eurodeputetja Fajon ka njoftuar për takimin me Pacollin përmes rrjeteve sociale.
“Takim me Ministrin e Jashtëm, Pacolli, për liberalizimin e vizave dhe prioritetet e qeverisë së re. Mbështetje e vazhdueshme për Kosovën brenda Parlamentit Europian në rrugën e saj drejt BE’së”, shkroi Fajon.
Edhe Pacolli njoftoi për këtë vizitë. Ai tha që pret që brenda një kohe të shkurtër kosovarët të lëvizin pa viza.
“Presim, që brenda një kohe të shkurtër qytetarët e Kosovës më në fund do të mund të lëvizin pa viza në Zonën Shengen. Është e padrejtë dhe jo fer, që jemi të vetmit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që nuk e gëzojnë këtë të drejtë dhe mbahen për kohë kaq shumë të gjatë të izoluar”, shkroi Pacolli.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, sot do të vizitojë edhe selinë e NATO-s në Bruksel.
Në këtë vizitë, Pacolli pritet të takohet me zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller.