Punëtorët e Postës së Kosovës kanë ndërprerë grevën, pas marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës për pagat.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, Etrit Hoti, në një konferencë për media, tha se rrogat do të dalin sot, ndërsa brenda 10 ditëve do të paraqitet në qeveri raporti për mbulimin e humbjeve, raporton Ekonomia Online.
“Sindikata sot ka mbajtur një takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, ku kërkesat tona ia kemi treguar dhe ai shprehu mirëkuptim për kërkesat tona dhe brenda 10 ditësh do ta paraqesë para qeverisë mbulimin e humbjeve të shërbimeve”.
Ndërkaq, Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, deklaroi se greva nuk ishte ndaj telekomit, por kundër atyre që janë përgjegjës për situatën e krijuar.
“Ne e kemi përcjellë me shqetësim këtë, sepse jemi të ndërlidhur direkt me telekomin. Është e dhimbshme që është data 9 dhe ende punëtorët s’i kanë marrë pagat dhe punëtorët e sindikalistët i përkrahin, kjo greve nuk është bërë kundër telekomit, por kundër atyre që nuk e kanë rregulluar gjendjen”, theksoi Balaj, raporton EO.