Asnjë shkollë në Fushë-Kosovë dhe në shumicën e fshatrave nuk ka klasa për parafillorët.
Komunarët ankohen se nuk kanë mjete buxhetore për t’i paguar mësimdhënësit. Drejtori i Arsimit, Islam Shabani, thotë se për shkak të numrit të madh të nxënësve janë të detyruar të rrisin paralelet e klasave të para dhe kjo ua pamundëson që të angazhojnë edhe staf për parafillorët. Për shkak të kësaj, shumë prindër i paguajnë vetë edukatorët, ndërkohë që mësimin e zhvillojnë në objektet shkollore, shkruan sot Koha Ditore.
“Prindërit po marrin iniciativa për t’i angazhuar mësimdhënësit. Do të thotë prindërve unë nuk mund t’ua ndaloj një gjë të tillë nëse ata organizohen, unë ua lëshoj lokalin shkollor, po unë nuk mund t’ua paguaj arsimtarët, këtu është halli, sepse nuk kam buxhet për të paguar stafin që e marrin ata për parafillorët”, ka thënë Islam Shabani.
Drejtori i Arsimit thotë se klasat për parafillorët funksionojnë vetëm në 4 shkolla në fshatra të Fushë-Kosovës që prej pasluftës. Ndërsa, në asnjë shkollë tjetër nuk kanë arritur të hapnin.