Pak minuta para nisjes së takimit: Trumpi e Putini vendosin sot për botën?

Prishtinë | 15 Gus 2025 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Është nisur për në takimin që mund të jetë më i rëndësishmi për të, në mandatin e dytë si president i Amerikës.

Me “Air Force One”, Donald Trump do të fluturojë drejt qytetit Anchorage në shtetin e Alaskës, për t’u ballafaquar me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Temë kryesore do ta kenë ndaljen e luftës në Ukrainë. Pak para nisjes, me anë të një postimi në platformën “Truth Social”, amerikani shkroi se me shefin e Kremlinit do të diskutohet për vendime të mëdha.E në rrjetin tjetër social, X, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u pajtua me komentin e Trumpit, dhe shtoi se samiti duhet të hapë rrugë të vërtetë drejt paqes dhe një takimi trepalësh midis Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë.

Në konferencë për shtyp, të mbajtur lart mbi tokë, amerikani tha që sulmet me dronë ndaj zonave civile të Ukrainës janë një lëvizje e gabuar e Putinit.

Trump tutje pohoi se në tryezë është edhe tema e shkëmbimeve territoriale, por shtoi se do të jetë Ukraina ajo që duhet ta marrë vendimin për këtë.Ai tha gjithashtu se nuk do të bëjnë asnjë marrëveshje biznesi me Rusinë derisa të zgjidhet çështja e luftës dhe paralajmëroi për sanksione më të ashpra nëse bisedimet e së premtes nuk janë të frytshme.

Të dy udhëheqësit pritet të takohen ballë për ballë rreth orës 9 të mbrëmjes, sipas kohës së Evropës qendrore.

Para nisjes për në Alaska, Putin bëri një vizitë simbolike në memorialin që përkujton bashkëpunimin ruso-amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke dashur të përcjellë mesazhin se në atë kohë, Moska dhe Uashingtoni ishin aleatë dhe jo kundërshtarë.Takimi i tyre u tha se mund të zgjasë deri në gjashtë ose shtatë orë.

Të ngjashme