Personat e infektuar me koronavirusin e ri, me simptoma të lehta po trajtohen në spitalet rajonale të Kosovës, kurse në klinikat e QKUK-së në Prishtinë trajtohen pacientët që janë pozitivë dhe kanë probleme më të rënda shëndetësore, ka thënë drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Basri Sejdiu.
“Pacientët me pneunomi, probleme respiratorike, disa kanë nevojë edhe për asistencë respiratore mekanike duhet të dërgohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sepse nëse në Klinikën Infektive plotësohen vendet me pacientëme simptoma të lehta, apo edhe pa simptoma dhe janë pozitivë me koronavirus, atëherë vështirësohet trajtimi i pacientëve me gjendje më të rëndë”, ka thënë Sejdiu.
Në Kosovë ditëve të fundit është rritur numri i të infektuarve me koronavirus. Ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se situata me koronavirus “është nën kontroll të brishtë”.
Ai ka thënë se “Klinika Infektive është stërmbushur me pacientë me koronavirus, kështu që janë duke u krijuar vende shtesë nëpër spitale rajonale”.
Në spitalin rajonal të Gjakovës të enjten kanë qenë duke u trajtuar shtatë pacientë të infektuar me Covid-19, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i këtij spitali Hilmi Shala. Ai ka treguar se në këtë spital ka hapësirë për 30 persona të infektuar.
“Momentalisht në spitalin tonë, kemi 12 pacientë të hospitalizuar, shtatë nga ta janë të konfirmuar me Covid-19 pozitivë, tre presin testet, të cilët janë testuar dje, ndërsa dy pacientë të rinj janë pranuar, të cilët presin t’iu merren mostrat për testim. Pacientët që janë pozitivë, gjendjen e kanë stabile, me përjashtim të katër pacientëve që kohë pas kohe janë me oksigjen”, ka thënë Shala.
Ai, ndërkaq ka treguar se në këtë spital nuk ka infektologë, pasi njëri nga infektologët ka rezultuar pozitiv me Covid-19, kurse infektologia tjetër është me sëmundje kronike dhe nuk është duke punuar.
“Kapacitete logjistike kemi. Kapacitetet humane, infektolog nuk kemi. Një infektolg ka rezultuar pozitiv, kurse një infektologe është më sëmundje kronike e cila është liruar nga detyra. Mirëpo, reparti ynë mbulohet me anesteziologë, internistë, kardiologë, pulmologë dhe fatmirësisht gjithçka ka shkuar mirë”, ka bërë të ditur Shala.
Por, gjendja më ndryshe paraqitet në spitalin rajonal të Ferizajt. Drejtori i kësaj qendre, Jeton Zeqiraj, thotë se në dispozicion kanë vetëm gjashtë dhoma dhe gjashtë shtretër. Në këtë qendër, janë duke u hospitalizuar katër persona me simptoma të koronavirusit, por ende nuk u janë bërë testet. Zeqiraj thotë se varësisht nga gjendja shëndetësore e tyre, dërgohen për trajtim në QKUK ose për vetizolim në shtëpi.
Edhe në këtë spital ka punëtorë shëndetësorë të infektuar me koronavirus, që shkakton sëmundjen Covid-19, kurse njëri nga ta është infektolog.
“Spitali rajonal i Ferizajt e ka një repart që është adaptuar për trajtimin e rasteve të dyshuara deri në testimin dhe obeservimin e rasteve të lehta me Covid- 19. Do të thotë, kjo është bërë në mënyrë që pacientët mos të maltretohen dhe të shkarkohet QKUK pasi është shumë e ngarkuar”.
“Katër mjekë specialistsë të infektuar që kanë rezultuar pozitivë dhe janë në vetizolim, dy infermierë, ndërsa edhe tre infermierë janë pritje të rezultateve si raste të dyshuara. Njëri nga mjekët e infektuar është infektolog”, thotë Zeqiraj.
Numri i punëtorëve shëndetësorë në Kosovë, të infektuar me koronavirus, që shkakton sëmundjen Covid-19, deri me datën 30 qershor, ka arritur në 160. Përveç kësaj, 500 punëtorë shëndetësorë janë duke qëndruar në izolim, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.
Ndryshe, rreth 500 shtretër ka në dispozicion Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për menaxhimin klinik të rasteve me sëmundjen COVID-19 që shkakton koronavirusi i ri, thotë drejtori u QKUK-së, Sejdiu, duke shtuar se në rast nevoje, ky numër mund të rritet në Klinikat tjera.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për 2,991 persona të infektuar me koronavirusin e ri.
Prej tyre, 1,293 persona janë shëruar, derisa 54 pacientë kanë vdekur.
Pas rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar disa masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes Covid-19.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar se nëse masat e reja nuk zbatohen, Qeveria e Kosovës, do të rikthejë masat rigoroze që rekomandohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.