Diplomatit Hamdi Reqica i janë prishur pushimet e verës nga dy vendime të ministres Meliza Haradinaj.
Me vendimin e parë, ai është transferuar në Konsullatën në Hamburg, vetëm rreth 10 muaj pasi ishte dërguar për të shërbyer në Konsullatën në Munih. Vendimin ministrja e kishte marrë pa ia kërkuar tri alternativa ku donte të transferohej, raporton KOHA.
Pakënaqësinë, Reqica e ka shprehur në profilin e tij në Facebook, ku ka shkruar se në diplomacinë e Kosovës për momentin është duke u bërë një prostitucion diplomatik.
Kjo përmbajtje i ka kushtuar. Ministrja Haradinaj ka marrë një vendim tjetër kundër tij.
“Diplomatit Hamdi Reqica i është dërguar vendimi për kthim të menjëhershëm nga misioni për shkelje të rregullave të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, dhe çështjen e tij do ta trajtojë Komisioni për Grada dhe Disiplinë, konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Reqica ka thënë t’i ketë pranuar disa vendime.
“Në emailin tim zyrtar ditëve të fundit kam pranuar vendime të ndryshme, pa më pyetur fare, pa arsyetime, jashtë orarit të rregullt të punës dhe gjersa gjendem në pushim vjetor. Kjo praktikë është e paparë më herët në shërbimin e jashtëm”, ka thënë Hamdi Reqica, anëtar i shërbimit të jashtëm.
Ministrja Haradinaj ka bërë edhe disa transferime, sikurse që ka firmosur edhe një sërë vendimesh, nëpërmjet të cilave zyrtarë të Ministrisë janë dërguar në misione jashtë vendit.
KOHA ka siguruar informacione për së paku 20 zyrtarë, të cilëve Haradinaj ua ka bërë vendimet. Një burim që i ka prezantuar ato ka thënë se Haradinaj gati e ka zbrazur Ministrinë dhe forma se si u janë komunikuar vendimet është e re, dhe nuk është praktikuar më herët. Të gjithë përfituesit nga këto vendime do ta nisin misionin në fillim të shtatorit.
Në një përgjigje të shkruar, e cila përmban edhe gjuhë kërcënuese e akuzuese për KOHËN, kanë thënë se një qasje e re që do ta aplikojë Ministria, nënkupton mosnxjerrjen e informatave për vendimet e kësaj natyre.
“MPJD-ja nuk mund të lejojë asnjë medie të bëhet zëdhënëse e saj, të nxirren detajet prej informacioneve që prodhohen dhe vendimeve që merren në MPJD, para se vetë MPJD-ja të bëjë njoftimin diplomatik te shtetet pritëse”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
KOHA ka raportuar vazhdimisht për gradimet dhe vendimet për dërgim jashtë vendi, që ministrja Haradinaj i ka bërë prejse e ka marrë detyrën dy muaj më herët. Pikërisht për këtë, ajo është ftuar javën e shkuar të raportojë në Komisionin parlamentar për punë të jashtme, mbledhje kjo që është ndërprerë shkaku i tensioneve që e kanë përshkuar.