Pakistani do ta lirojë gjatë ditës së premte pilotin indian që ishte zënë rob gjatë sulmit me aeroplanë në zonën e Kashmirit. Ky veprim po vlerësohet si përpjekje për t’i zbutur tensionet mes dy fuqive bërthamore.
Piloti Abhinandan po vlerësohet si hero në Indi. Ai pritet në kthehet në atdheun e tij përmes pikës kufitare në Wagah gjatë pasdites së të premtes. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i jashtëm pakistanez, Shah Mahmood Qureshi.
“Me synimin për ta promovuar paqen dhe zbutjen e tensioneve, piloti indian që është arrestuar nga forcat tona do të lirohet sot pasdite në pikën kufitare në Wagah”, deklaroi ky ministër para ligjvënësve pakistanezë.
Fuqitë botërore kanë kërkuar vetëpërmbajtje nga dy shtetet pas rritjes së tensioneve për shkak të shpërthimit të bombës që la të vrarë 40 policë indianë në Kashmir më 14 shkurt.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë aktivisht të përfshira në ndërmjetësim për ta shmangur rrezikun e luftës së katërt mes dy vendeve që nga pavarësimi nga Britania në vitin 1947. Shkaktar për fillimin e dy luftërave ka qenë pikërisht rajoni i Kashmirit, i cili kontrollohet pjesërisht nga India, Pakistani dhe Kina.
Pavarësisht se të shtënat me armë zjarri në Kashmir gjatë ditës së sotme janë pakësuar, tensionet mes dy vendeve janë duke vazhduar. Ministri pakistanez ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në një takim të ministrave të jashtëm në Abu Dabi për shkak se aty është i ftuar edhe homologu i tij indian, shkruan “Reuters”.