Për herë të parë, Pakistani ka përdorur shiun artificial për të zvogëluar nivelet e rrezikshme të ndotjes së ajrit.
Aeroplanët të cilët ndihmojnë në formimin e reve dhe rrisin mundësitë për reshje, kanë fluturuar mbi qytetin Lahore në lindje të Pakistanit, i cili shpesh radhitet si një ndër vendet me ndotjen më të madhe të ajrit në botë.
Kryeministri i Punjabit, Mohsin Naqvi, njoftoi se aeroplanët kanë ndikuar të ketë reshje shiu në të paktën 10 zona të Lahores, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu, ai theksoi se autoritetet po monitorojnë ndikimin e shiut artificial në një rreze prej 15 km.
Bëhet e ditur se “dhurata” e shiut artificial u dha nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Problemi i ndotjes së ajrit në Pakistan është përkeqësuar vitet e fundit si rezultat i tymit të naftës, tymit nga djegia sezonale e të mbjellave, dhe temperaturave të ftohta të dimrit.