Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka nisur shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të niste në ora 09:15, ndërsa tani ora shënon 09:50 dhe gjyqtarja Violeta Namani ende nuk është paraqitur në sallën e gjyqit.
Në këtë rast, përveç Lekajt, akuzohen edhe ish-këshilltari i tij politik Eset Berisha, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në këtë ministri, Besim Tahiri.
Rasti është në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e parë dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje. Në gjykimin e parë, Lekaj ishte dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa edhe të akuzuarit e tjerë ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me burgim.
Rasti lidhet me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Prokuroria Speciale ka kërkuar sërish dënimin e të akuzuarve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre. Pal Lekaj gjatë fjalës së fundit ka deklaruar se është i pafajshëm.
Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.