Pal Lekaj tërhiqet nga gara për deputet, jep mbështetje të plotë për AAK-në dhe Ardian Gjinin

Prishtinë | 12 Maj 2026 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i AAK-së dhe ish-ministri, Pal Lekaj, ka bërë të ditur se nuk do të garojë në zgjedhjet e 7 Qershorit në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Përmes një statusi në Facebook, Lekaj ka theksuar se AAK-ja nuk është vetëm një subjekt politik, por një familje politike që ka dhënë kontribut të madh në shtetformimin, zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës.

Ai ka vlerësuar lartë rolin e Ramush Haradinajt, duke e cilësuar si një ndër ideatorët dhe luftëtarët më të mëdhenj të historisë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Për më shumë se 26 vite, Ramush Haradinaj ndërtoi një familje të fuqishme politike, duke mbledhur rreth vetes njerëzit më të zotë dhe më të përkushtuar të vendit”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka thënë se gjatë gjithë rrugëtimit të tij politik ka qenë pranë Haradinajt dhe se këtë e konsideron privilegj të veçantë.

Lekaj bëri të ditur se vendimi për të mos garuar këtë herë vjen për t’u hapur rrugë anëtarëve të rinj të Aleancës, ndërsa premtoi angazhim maksimal për fitoren e AAK-së në zgjedhje.

“I jap mbështetje absolute dhe do të angazhohem edhe më shumë se asnjëherë më parë që Aleanca, bashkë me kandidatin për Kryeministër Ardian Gjini, të dalë fuqishëm në këto zgjedhje”, është shprehur ai.

Në fund, Lekaj u ka bërë thirrje strukturave dhe mbështetësve të AAK-së që të punojnë për fitoren e 7 Qershorit, duke theksuar se Ramush Haradinaj do të mbetet gjithmonë shtyllë dhe themel i kësaj familjeje politike.

Të ngjashme