Avokati i njohur, Dastid Pallaska e ka kritikuar pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti si votues në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare në Shqipëri. Ai e ka quajtur Kurtin kryeministër me gjysmë orari dhe të zgjedhur nga qytetarë sezonal.
Pallaska ka thënë se Kurti po bënë fushatë politike në Shqipëri me vetura zyrtare e eskortë të shtetit.
“Ani u ankoshim për disa zyrtarë që shkonin në pushim fundjave në Shqipëri me vetura zyrtare. Tash Kryeministri me vetura zyrtare e eskortë, me shpenzime të shtetit, bënë fushatë politike në Shqipëri, dhe atë pa fije turpi. Asgjë më mirë nuk mund të pritet nga një Kryeministër me gjysmë orari që është zgjedhur nga qytetarë sezonal”, ka shkruar Pallaska.
Tutje, ai ka treguar se kur sipas tij do të bëhet Kosova, duke e cilësuar Kurtin si njeri me dy atdhe.
“Kosova do të bëhet vetëm atëherë kur për të vendosim qytetarët që kanë ZGJEDHUR që të ndërtojnë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre këtu dhe vetëm atëherë kur vendin e udhëheq dikush që nuk ka atdhe rezervë. Kush ka më shumë se një atdhe, nuk kanë asnjë atdhe!!!”, ka shkruar Pallaska.