Njohësi i cështjeve juridike, Dastid Pallaska, iniciativën e kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për fushëveprimin e mandatit të Qeverisë, po e konsideron të panevojshëm, të pavend dhe të palejueshëm, raporton EkonomiaOnline.
Ky është statusi i Pallaskës në llogarinë e tij në Facebook përkitazi me iniciativën e kryeministrit në largim.
Iniciativa e Kryeministrit të dorëhequr për të dërguar pyetje në Gjykatën Kushtetuese për fushëveprimin e “mandatit” të Qeverisë së rënë është e panevojshme, e pavend dhe – çka është më me rëndësi – e palejuar.
E PANEVOJSHME sepse kjo çështje nuk rregullohet me Kushtetutë dhe është fare e qartë se Qeveria e dorëhequr nuk ka mandat qeverisës por thjeshtë shërben si kujdestare e institucioneve vartëse deri në transferin paqësor të pushtetit tek Qeveria e re.
E PAVEND sepse mund të vonojë – pa nevojë – zgjedhjen e Qeverisë së re apo proceset tjera kushtetuese pasi që, sipas praktikës së fundit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për “pyetje kushtetuese” merret pas 6 apo 7 muajsh edhe në rastet kur kërkesa hedhet poshtë si e palejuar.
E PALEJUAR sepse Gjykata Kushtetuese në tre vendimet e fundit në lidhje me “pyetjet kushtetuese” të Presidentit (Rastet KO Nr. 79/18, KO Nr. 131/18 dhe KO Nr. 181/18) ka konstatuar, ndër tjerash, se Gjykata Kushtetuese nuk përgjigjet në “pyetje kushtetuese” dhe se kërkesat me pyetje të tilla do t’i hedhë poshtë si të palejuara.