Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si të kotë seancën e sotme të jashtëzakonshme që është ftuar nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar rreth ndihmesave për të tejkaluar krizën me COVID-19.
Lidhur me një deklartë të tillë të kreut të VV’së, ka reaguar avokati i njohur kosovar, Dastid Pallaska. Ai thotë se një gjuhë e tillë si e Kurtit përdoret vetëm në sistemet totalitare ku vetëm i duartrokitet liderit suprem.
“Seancat e Kuvendit janë të “kota” vetëm në sisteme totalitare ku roli i Kuvendit është i kufizuar në duartrokitjen e diktatit absolut të liderit suprem dhe lartësimin e figurës së tij”, ka thënë Pallaska.
Ai tutje thotë se bazuar në rendit Kushtetutes të Republikës së Kosovës, puna e Kuvendit nuk mund të kufizohet në asnjë rrethanë edhe në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
“Sipas rendit tonë kushtetues, puna e Kuvendit nuk mund të ndalohet dhe/apo kufizohet në çfarëdo mënyre nën asnjë rrethanë, e as pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”, ka shtuar tutje avokati kosovar.
Pallaska ka folur edhe për lejet e lëshuara për deputetët nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, duke thënë se një gjë e tillë është një goditje e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.