Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer deklaron se SHBA-ja nuk do të negociojë zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, por thotë të jenë ofruar këshilla ndaj palëve.
“Kemi ofruar këshillat tona të sinqerta mbi një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithatë, ka ardhur koha që udhëheqësit shqiptarë të lënë mënjanë interesat e tyre politike dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk do ta negociojnë Shtetet e Bashkuara zgjidhjen për ta”, tha Palmer për Top Channel.
Pjese nga intervista
Tch: Z. Palmer, gjatë vizitës tuaj të fundit në Shqipëri, ju bëtë të qartë se dhuna gjatë protestave të opozitës nuk është e pranueshme. Në të njëjtën kohë, ambasada e SHBA në Tiranë ka nxitur me këmbëngulje për protesta paqësore dhe pa dhunë. Megjithatë, këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga organizatorët e protestave. A jeni të zhgënjyer për të gjithë këtë?
Palmer: Më lejoni të jem shumë i qartë: dhuna nuk ka vend në demokraci. Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën Demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Megjithatë, përdorimi i përleshjeve fizike apo mjeteve shpërthyese si mjete proteste është jo vetëm jodemokratik, por është edhe i paligjshëm. Shënjestrimi me fishekzjarrë dhe molotov i oficerëve të policisë dhe ndërtesave publike nuk janë akte paqësore. Ata që përfshihen në aktivitete të tilla të dhunshme kryejnë krim dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.
Iu kemi bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve të opozitës, sidomos Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryetares së LSI Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet e mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me hetimet që synojnë të identifikojnë autorët individualë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të rregullta dhe paqësore. Dhuna e ushtruar nga protestuesit është në kundërshtim me synimet e deklaruara të partive opozitare për të pasur një demokraci të fortë evropiane.
Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik.
Tch: A po përpiqet Departamenti i Shtetit i SHBA që të negociojë në ndonjë mënyrë midis qeverisë dhe opozitës për t’i ulur në tryezën e dialogut?
Palmer: Jo. Kemi ofruar këshillat tona të sinqerta mbi një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithatë, ka ardhur koha që udhëheqësit shqiptarë të lënë mënjanë interesat e tyre politike dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk do ta negociojnë Shtetet e Bashkuara zgjidhjen për ta.
Tch: Për politikanët shqiptarë që mbështesin dhe promovojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi dhunën gjatë protestave, a do të kenë pasoja nga Qeveria e SHBA, si për shembull vendosja në një listë të zezë apo refuzimi i vizave amerikane?
Palmer: Nxitja e dhunës nga kushdo është një fyerje për popullin shqiptar dhe duhet dënuar nga të gjithë. E kemi bërë të qartë kundërshtinë tonë ndaj dhunës si instrument politik. Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Tch: Cilët janë politikanët shqiptarë në “listën e zezë” të SHBA, të cilëve iu janë revokuar vizat amerikane?
Palmer: Nuk mund të flas për hollësitë e ndonjë rasti specifik vize. Megjithatë, do të nënvizoj përkushtimin e SHBA për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për të promovuar llogaridhënie, transparencë dhe qeverisje të mirë. Kjo përfshin përdorimin e autoriteteve të caktuara për sanksione për vizat kur të jetë me vend.
Tch: Opozita ka bojkotuar zgjedhjet vendore. A do t’i njihni këto zgjedhje pa opozitën? Kryeministri Edi Rama ka thënë se “kushdo që do të përpiqet të pengojë njerëzit të shkojnë për të votuar në qendrat e votimit do të kryejë një krim zgjedhor dhe nuk do të jetë në gjendje të udhëtojë në SHBA”. A ka ndonjë ligj amerikan që e mbështet një pretendim të tillë të KM Edi Rama?
Palmer: Kur isha në Tiranë në prill, e nxita opozitën të merrte pjesë në zgjedhje, t’ia përcillte mesazhin e saj qytetarëve, të fitonte pozicionin në qeveri, dhe pastaj ta përdorte fitoren si mjetin për të mbajtur angazhimet dhe vizionin për të ardhmen. Ishte vendimi i udhëheqësve të opozitës, dhe vetëm i tyre, që të mos regjistroheshin për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk mund të fitosh zgjedhjet nëse qëndron jashtë tyre dhe përdorimi i bojkotit për të penguar zgjedhjet vendore të një vendi të tërë nuk ndihmon për ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike. I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA.
Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor. Kemi në plan të shqyrtojmë raportimet për monitorimin zgjedhor të ekipeve tona si dhe ato të ODIHR.