Palmer në Shkup për mbështetjen e Marrëveshjes për emrin

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, Matthew Palmer sot po qëndron në Maqedoni për t’i dhënë mbështetjen amerikane zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin.

Para shkuarjes në Shkup, diplomati amerikan kishte deklaruar se “Maqedonia ka shansin historik dhe të vetëm për të hyrë në NATO dhe BE, duke pranuar Marrëveshjen me Greqinë në mënyrë institucionale”.

Palmer takimet i ka nisur me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ndërsa gjatë ditës do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe me kryeministrin, Zoran Zaev, me të cilin do të dalin në një konferencë për media.

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate ka njoftuar se në takimin me zyrtarin e lartë amerikan “kryetari Ali Ahmeti nënvizoi përpjekjet për të arritur përkrahjen e nevojshme në Kuvend dhe që dita e premte ishte vetëm fillimi i një procesi disamujor të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës (Marrëveshja për emrin). Maqedonia dhe rajoni nuk kanë alternativë tjetër përveç se integrimit euroatlantik dhe miratimit të standardeve perëndimore demokratike”, thuhet në komunikatë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë mbështetur Marrëveshjen me Greqinë dhe ndryshimet kushtetuese që janë të domosdoshme për zbatimin e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme