Palmer: Ujdia e 4 shtatorit është garancia kryesore për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Prishtinë | 31 Dhj 2020 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Marrëveshja e 4 shtatorit në Washington, nuk e bëri Serbinë ta pranojë Kosovën.

As nuk i normalizoi raportet ndërmjet dy vendeve.

Por, ajo, është garancia më e fortë për çfarëdolloj akordi tjetër të madh, që pritet të arrihet mes dy shteteve të Ballkanit.

Kështu të paktën thotë Matthew Palmer, njëri nga zyrtarët amerikanë që më së miri e njohin situatën në këtë pjesë të Evropës.

Në një intervistë ekskluzive për portalin klankosova.tv, i dërguari special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, tha se shteti i tij, me marrëveshjen e 4 shtatorit dëshmoi qartë se është i interesuar të përfshihet edhe më thellë në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

”Ata forcuan themelin për marrëveshjet e ardhshme, duke përfshirë perspektivën e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, të cilat BE ka ndjekur me forcë dhe e cila mbetet një përparësi kryesore për Shtetet e Bashkuara’’, ka thënë Palmer.

”Zbatimi i këtyre marrëveshjeve jo vetëm që do të sjellë rritje dhe punë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, por do t’i bindë qytetarët se ata kanë një të ardhme më të ndritur në vendin e tyre dhe do të tregojë rrugën e pajtimit dhe përparimit për të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Ai shtoi se Kosova e Serbia nuk nuk do të arrijnë potencialin e tyre të plotë për zhvillim derisa t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë.

Në këtë intervistë të jashtëzakonshme, Palmer, pos tjerash, befason më lajmin se këngëtarja e tij e preferuar është kosovarja Dua Lipa, tregon se nëna e tij mund të vijë për një vizitë në Kosovë dhe flet edhe për mundësinë që Medeleine Albright të përfshihet në dialogun.

A mendoni se projekti i dialogut Prishtinë-Beograd do të marrë një drejtim tjetër me administratën e Joe Biden?

Matthew Palmer: Ndërsa nuk mund të spekuloj se çfarë do të bëjë administrata e ardhshme, mund të them përkushtimin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe angazhimet e SHBA-së për partneritetin tonë me Kosovën dhe Serbinë kanë mbetur të qëndrueshme nga administrata në administratë, dhe unë i parashikoj se këto angazhime do të qëndrojnë të forta.

Unë besoj se interesat e përgjithshme të Shteteve të Bashkuara janë të qëndrueshme dhe kapërcejnë momentin politik.

Si e vlerësoni ndikimin në Ballkanin Perëndimor të dështimit për të arritur një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë?

Matthew Palmer: Një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë do të hapte rrugën përpara drejt integrimit europian për të dy vendet. Kjo nga ana tjetër, do të ndihmonte në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin.

Kjo do të tërheqte investime të huaja dhe do t’u jepte të rinjve më shumë arsye për të besuar se ata mund të ndërtojnë të ardhmen më të mirë të mundshme për veten e tyre në shtëpi.

Por, dështimi për të arritur një marrëveshje do t’i bënte ato qëllime më të vështira për t’u arritur.

A e mirëprisni idenë që Madeleine Albright të përfshihet në çështjen e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë?

Matthew Palmer: Ndërsa nuk mund të spekuloj për gjëra të tilla, unë mendoj se është e qartë se angazhimi i SHBA-së për partneritetin tonë me Kosovën dhe Serbinë do të mbetet i fortë, pavarësisht nga personalitetet individuale që mund të punojnë për këto çështje në Administratën e ardhshme.

A keni biseduar ndonjëherë për Kosovën me familjen tuaj?

Matthew Palmer: Sigurisht. Nënës time, në veçanti, i pëlqen të lexojë në lidhje me çështjet që unë punoj dhe ajo gjithmonë ka pyetje për mua. Ajo është e hapur dhe kurioze për botën. Nëna ime nuk kishte pasaportë derisa unë isha në kolegj dhe ajo erdhi të më vizitonte në Japoni, ku isha duke studiuar. Por ajo është më shumë se e përgatitur për një filim relativisht të ngadaltë. Sapo COVID të kalojë, mendoj se ajo do ta mirëpriste një shans për të vizituar Kosovën.

Cili është ushqimi dhe pija juaj e preferuar në sezonin e festave?

Matthew Palmer: Unë festoj Hannukah (Festë tetëditore hebreje) dhe si pjesë e kësaj ne bëjmë petulla të skuqura prej patates e cila hahet me salcë kosi ose salcë molle. Janë përrallore… dhe absolutisht pa majmëri.

Sa i përket pijeve, e di që do duhej të më pëlqente Eggnog (kokteil alkoolik me vezë), por në të vërtetë nuk më pëlqen. Është shumë e ëmbël për mua. Por nëse përjashtoni kremin, sheqerin, të bardhën e vezës dhe arrëmyshkun, ju mbetet në thelb një gotë burbon. Kjo është mjaft e mire!

Këngëtari/ja juaj e preferuar?

Matthew Palmer: Dua Lipa. Pa dyshim.

Sa i përkushtuar jeni ndaj familjes tuaj – a e bën agjenda juaj ndonjëherë të vështirë për të kaluar kohën me familjen tuaj?

Matthew Palmer: Familja edhe pse larg mbetet gjëja më e rëndësishme në jetën time. Nuk mendoj se ka diçka të pazakontë në lidhje me këtë. Shumica e njerëzve e vendosin familjen në radhë të parë. Sigurisht që puna ime u vë një barrë të veçantë. Fëmijëve të mi u është dashur të lënë miqtë e tyre dhe të lëvizin jashtë shtetit disa herë. Ata u është dashur të përshtaten. Kur jam duke punuar në Ëashington, kërkesat për udhëtime mund të jenë sfiduese. Para se të mbyllej udhëtimi nga pandemia, unë isha në rrugë gati 50% të kohës. Nuk ka asnjë zëvendësim e të kaluarit kohën me homologët e mi të huaj në jetën reale, por udhëtimi është i vështirë.

A keni një histori interesante për të ndarë me ne nga vizita juaj e fundit në Kosovë?

Matthew Palmer: Vizita ime e fundit në Kosovë ishte gjatë Halloween. Unë isha duke darkuar me disa udhëheqës në shoqërinë civile të Kosovës në një restorant të bukur në qendër të qytetit.

Ne po bënim një bisedë vërtet interesante rreth zhvillimit demokratik dhe perspektivës europiane të Kosovës. Por restoranti kishte rezervuar një festë për Halloween të njëjtën natë, dhe rreth gjysmës së vaktit u ndez një makinë mjegulle, dritat u errën, njerëzit të veshur si zombie dhe vampirë dhe monstra të ndryshëm filluan të kërcenin me… nëse e mbaj mend mirë… Dua Lipan.

Ne e mbaruam vaktin, por kurrë nuk e përfunduam bisedën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme