Sokol Halili, i dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes shtatzënë, është vetëvrarë në shtëpi e tij, pasi njësia speciale “zbarkoi” për ta kapur atë.
Lajmin për vetëvrasjen e Halilit e dha në Facebookun e tij ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, shkruajti ai.
“Policia e Kosovës si dhe Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”.
Policia kishte rrethuar shtëpinë e të dyshuarit afët Shtimes dhe i kishte kërkuar të dorëzohej, por 31-vjeçari i dha fund jetës.
Pikërisht sot, është varrosur Hamide Magashi, të cilës së bashku me foshnjen në bark, ia mori jetën ish-bashkëshorti. Në varrimin e saj në Llugaxhi të Lipjanit morën pjesë qindra qytetarë.