Gjykata Themelore në Pejë sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve për vrasje me pagesë në Deçan.
Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi janë dënuar me 49 vjet burgim për vrasjen e Ferdinand Gjinit, raporton Express.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, i akuzuari Murat Sinanaj është dënuar me 19 vjet burgim, i akuzuari Bekim Raja me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim, kurse i akuzuari Gjon Pnishi me 6 vjet burgim.
Fillimisht, në këtë rast ka qenë i akuzuar Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje. Ai u dënua me 17 vjet burgim për vrasje të rëndë, ndërsa dy vjet të tjera për armëmbajtje dhe shfrytëzim pa autorizim të saj. Gjithsej, gjykata dënim unik llogariti 18 vjet për vrasësin 40 vjeç.
Por, pas këtij dënimi, ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.