Cristiano Ronaldo u largua papritmas nga intervista pas ndeshjes së tij historike në fitoren e Portugalisë 2:1 kundër Irlandës Veriore të mërkurën, duke e lënë gazetarin gojëhapur.
Ronaldo e theu rekordin për më së shumti gola në futbollin ndërkombëtar, pasi i shënoi dy gola në fitoren e Portugalisë 2:1 kundër Republikës së Irlandës në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës. Tani Ronaldo është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtareve me 111 gola, raporton Gazeta Express.
Sulmuesi 36-vjeçar i shënoi dy gola të vonshëm me kokë dhe e humbi një penallti në fitoren dramatike të Portugalisë kundër Irlandës Veriore të mërkurën.
Ronaldo nuk ishte i interesuar të kalonte shumë kohë duke folur për media pas ndeshjes, duke zgjedhur ta festojë rekordin larg kamerës.
Intervista e sulmuesit të ri të Manchester Unitedit nisi zakonshëm dhe ai iu përgjigj pyetjeve për rekordin historik.
“Jam shumë i lumtur, jo vetëm sepse e theva rekordin por edhe për çastet e veçanta që i patëm ne, dy gola në fund të ndeshjes”, tha Ronaldo për Sky Sports.
“(Humbja e penalltisë herët) ishte vetëm pjesë e lojës. Nganjëherë shënon, nganjëherë bën gabime. Por ne besuam deri në fund të ndeshjes”, shtoi ai.
Ronaldo nuk pati durim ta dëgjojë edhe një pyetje tjetër dhe u largua nga kamera derisa gazetari i Sky po përpiqej t’ia bënte atij pyetjen e radhës.