Koalicioni PDK-AAK-NISMA, sot ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se kujdesi ndaj kategorive me peshë shoqërore është i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e shtetit.
“Kujdesi ndaj kategorive me peshë shoqërore është i rëndësishëm edhe për sistemin e vlerave që duhet të përfaqësojë republika jonë. Pensionistët janë krenaria jonë, sepse ata na edukuan dhe frymëzuan për të punuar dhe luftuar për lirinë e Kosovës”, ka thënë Veseli.
“Do të ketë rritje për të gjitha kategoritë e pensionistëve, kontirubutdhënës dhe jokontributdhënës minimalja do të thotë 25% , minimalja e pensionit kontributdhënës do të jetë 200 euro. Unë besojë me 25%, por besoj se deri në fund të mandatit jam shumë i sigurtë ne kemi biseduar edhe me kryeministrin nuk do të jetë 25% por do të jetë 30%”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së po ashtu tha se brenda tre muajve, Kuvendi i Kosovës do të nxjerrë ligj të posaçëm përmes së cilit do t’u njihet stazhi të gjithë punonjësve që i kishin thënë Jo Serbisë gjatë viteve të nëntëdhjeta.
“Ne e marrim si zotim e cila nuk është ende e nënshkruar në këtë marrëveshje që është pranimi i stazhit të viteve 90-ta për të gjithë pensionistët por edhe ata që nuk kanë dalur në pension”, ka pohuar ai.
Ndërsa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me shoqatat e pensionistëve që të rritet përkujdesja qeveritare dhe të rritet mirëqenia e pensionistëve të Kosovës.
Haradinaj tha se koalicioni qeveritar ka hartuar program që kujdeset për qytetarin që nga lindja e fëmijëve e deri tek mosha e tretë.
“Kjo është një dëshmi që po i marrim obligimet që na takojnë si përfaqësues e si qeveri nesër dhe këto obligime po fillojmë me rritjen e pensioneve, është rehabilitimi pra programet rehabilituese përkrahëse, është transporti publik në vendin tonë falas , me barna shtesë që i dedikohen specifikave”, ka thënë ai.
Kurse, Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve, tha se ata i besojnë lidershipit të koalicionit të madh, pasi sipas tij janë lidership që kanë marrë gjithmonë vendime të mëdha, vizionare dhe të guximshme.
“Dinjiteti i pensionistëve do të kthehet me reforma rrënjësore me kthimin e fondit pensional , me pranimin e stazhit, me kthimin e parimit të solidaritetit që të rinjtë të punojnë dhe t’i ndihmojnë të vjetrit , me kthimin e sistemit intergjenerativ dhe me parimin dhe sigurimin e subvencioneve. Subvencione në shëndetësi, në institucione shëndetësore, në komunikacion urban dhe ndër urban por edhe me sigurimin e shtëpive të pleqve e shumë nevoja tjera”, ka thënë ai.
Me Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, koalicioni PDK-AAK-Nisma janë marrë vesh që pas formimit të Qeverisë së Kosovës, të miratohet propozimi për rritje të pensioneve kontributdhënëse dhe jo-kontributdhënëse me plotësim-ndryshimin e buxhetit të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, e formuar nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, do të përkushtohet që për pensionistët të ofrojë edhe programe rehabilitimi.
Koalicioni PDK-AAK-NISMA, si udhëheqës i qeverisë, do të përkushtohet që të ofrojë edhe transport publik pa pagesë për të gjithë pensionistët e Kosovës nëpër të gjitha komunat e Kosovës dhe ndërmjet qyteteve.
Gjithashtu, Qeveria e Kosovës, e formuar nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, do të përkushtohet që të ofrojë edhe listë shtesë të barnave falas për pensionistët e Kosovës, sipas kërkesave të parashtruara nga shoqatat e autorizuara për përfaqësimin e pensionistëve.