Qendra gjermane e informacionit për migracion, arsim dhe karrierë (DIMAK) në Kosovë ka hapur Panairin Nacional të Punës dhe Karrierës 2019, raporton Ekonomia Online.
Ky panair do të mirëpresë një numër të madh të kompanive dhe institucioneve të cilat do të ofrojnë mundësi punësimi dhe karriere në fusha të ndryshme.
Në kuadër të panairit mund të informoheni edhe për mundësitë e ndryshme për bursa, trajnime dhe seminare.
Alexander Seidl nga GIZ-i tha se për 4 vjet organizohet një panair i tillë në Prishtinë, ku këtë vit marrin pjesë 200 kompani dhe ofrojnë punë për 2500 vende të lira.
“Kjo nuk është hera e parë që organizojë këtë panair në Prishtinë, këtë e bëjmë për 4 vjet dhe secili prej këtyre viteve ka qenë i suksesshëm, kemi shumë kompani që kanë ardhur këtu janë diku 200 kompani që marrin pjesë me 2500 vende të lira të puna. Ideja e panairit është tu tregojmë të rinjve që ka vende pune në Kosovë”, tha Seidl.
Ai tha se ideja e panairit është që tu tregohet të rinjve kosovarë që në vendi e tyre ka vende të lira pune dhe mund të punësohen.
“Ne bashkëpunojmë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, konkretisht me Agjencionin e Punësimit dhe është bashkëpunim i shkëlqyer deri tani në implementimin e këtij panairi dhe aktiviteteve tjera. Ideja është që mos me u tregu të rinjve vetëm që ka mundësi punësimi por që edhe munden me u punësuar dhe me krijuar një perspektivë të mirëfilltë dhe të qëndrueshme në vendin e tyre”, tha ai.
Ai tha se panaire mbahen edhe në komunat e Kosovës, por të dimensionit të tillë mbahet një herë në vit.
“Kemi panaire regjionale që mbahen në komunat e Kosovës në bashkëpunim me agjencionin e punësimit dhe projektet tjera, por panairi i kësaj madhësie mbahet vetëm një herë në vit”, shtoi Seidl.
Elona Çuliq nga Kolegji “Heimerer” tha se edhe vitin e kaluar ky kolegj ka marrë pjesë në panair dhe janë ndarë të kënaqur, prandaj rezultate të tilla pret edhe këtë vit, raporton EO.
“Ne jemi që 9 vjet në Kosovë jemi kampusi për shëndetësi dhe karrierë, sot ne paraqitemi me 10 vende të lira të punës duke filluar për dekan, profesor të rregullt, hulumtues apo asistent hulumtues”, tha Çuliq.
“Duke u nisur nga eksperienca e vitit të kaluar që kemi qenë pjesë e këtij panairi në mirëpresim të interesuarit për të punuar në kolegjin tonë”, tha ajo.
Ajo tha se që në fillim ishin dy të interesuar për vendet e punës në kolegj të cilët sapo kishin plotësuar CV-të.
“Ne sapo kaluan dy të interesuar për disa pozita tona që plotësuan CV-të dhe shpresoj fillimi ishte i mbarë, eksperienca e kaluar ka treguar që ka pas të interesuar dhe të zgjedhur dhe shpresoj të ndodh edhe këtë vit”, shtoi Çuliq.
Panairi ka filluar në orën 08:00 dhe do të jetë në dispozicion deri në orën 18:00 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

