Panda, “Sakrifica” serbe për hir të gjenocidit

Prishtinë | 15 Dhj 2025 | 08:17 | Nga Ekonomia Online

Më 14 dhjetor 1998, në kohën kur dhuna dhe terrori serb po e mobilizonte komunitetin ndërkombëtar për të VËRTETËN e Kosovës, regjimit të Millosheviqit i duheshin krime “mashtruese” për t’i akuzuar shqiptarët, sipas strategjisë “false flag” – vrit dhe fajëso.

I frustruar me kërkesat ndërkombëtare dhe me mungesën e gabimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – e cila s’kishte goditur kurrë civilë, fëmijë apo pleq, siç po bënin forcat e tij të rregullta e paramilitare – Millosheviqi i refuzonte marrëveshjet, sepse planifikonte me çdo kusht “tokën e djegur” dhe Kosovën pa shqiptarë.

Në natën e 14 dhjetorit 1998, në një kafiteri të quajtur PANDA në Pejë, dy persona të armatosur dhe të maskuar gjuajtën breshëri plumbash ndaj të rinjve që ishin brenda, duke lënë 6 të vdekur dhe 15 të tjerë të plagosur. Shumica e viktimave të mitur, gjë që e bënte krimin më “të përshtatshëm” për propagandë kundër UÇK-së dhe shqiptarëve, duke “legjitimuar” brutalitetin dhe gjenocidin në vazhdim.

U arrestuan dhe u dënuan shumë shqiptarë të pafajshëm, shumë prej të cilëve vuajnë edhe sot pasoja të rënda nga torturat çnjerëzore.

Asnjë hetim serioz që do ta ndriçonte përfundimisht të vërtetën.

Si rezultat i presionit të familjarëve që kërkonin drejtësi dhe raportimit të mediave që përfshinin inteligjencën serbe në këtë rast, më 2011 ishte hapur një “hetim” nga Prokuroria e krimit të organizuar në Serbi, por jo për emra, jo për një aktakuzë.

Lotët dhe lutjet e familjarëve s’mund të marrin përgjigje, sepse drejtësia do ta “trondiste” Serbinë.

Në dhjetor 2013, Aleksandër Vuçiq pranoi publikisht se në dosjen e krimit nuk ekzistonte asnjë provë që tregonte se krimi ishte kryer nga shqiptarët.

Një hetim tjetër në vitin 2016 sqaroi përfundimisht se sulmi nuk ishte kryer nga shqiptarët, por sërish pa i dhënë përgjigje autorësisë së vërtetë.

Përkundër kërkesave për t’i gjetur e dënuar kriminelët edhe 27 vjet pas, familjarët e viktimave vazhdojnë të privohen nga e vërteta dhe të “ngushëllohen” me propagandën morbide të “fajësimit” të shqiptarëve.

Presioni publik e kishte detyruar Vuçiqin ta pranonte se narrativa për rastin “Panda” ishte një gënjeshtër. Mirëpo, pas forcimit të autoritarizmit të tij, “drejtësia” serbe vazhdon ta fshehë të vërtetën, në mënyrë që të mund të vazhdojë mashtrimin.

Ndonëse e kanë pranuar vetë se shqiptarët s’kanë asnjë lidhje me krimin, “Panda” vazhdon të përdoret në forume të ndryshme e në rrjete sociale kundër shqiptarëve.

Një taktikë veprimi “false flag”, që hedh gurin e fsheh dorën, për ta vazhduar propagandën e “viktimizimit” si strategji hibride kundër Kosovës.

Mirëpo, “normalizimi” nuk ndërtohet dot mbi mohimin dhe harresën.

Paqja mund të triumfojë vetëm kur Serbia detyrohet t’i pranojë krimet e saj.

Të ngjashme