Pandemia e COVID-19 do ta bëjë edhe më të gjerë hendekun e varfërisë mes meshkujve dhe femrave, duke shtyrë 47 milionë gra dhe vajza tjera në varfëri vitin e ardhshëm, është thënë nga Kombet e Bashkuara.
Nëpër botë më tepër gra sesa burra do të varfërohen nga tkurrja ekonomike dhe humbjet masive të vendeve të punës të shkaktuara nga koronavirusi, ku punëtorët joformal më së rëndi janë goditur në Afrikën sub-Sahariane dhe në Amerikën Latine.
“Rritja e numrit të grave në varfërinë ekstreme…është një dëshmi e fortë e defekteve të thella në mënyrën se si kemi ndërtuar shoqëritë tona dhe ekonomitë”, është thënë nga Phumzile Mlambo-Ngcuka, që është kryetar e UN Women, raporton “The Guardian”.
Gjatë pandemisë, gratë kanë humbur vendet e punës në një shpejtësi më të madhe sesa burrat.
Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punësimit pranë Kombeve të Bashkuara (ILO), rreth 70 për qind e punëtorëve që punojnë në pastrime nëpër shtëpi, kanë humbur vendet e punës si rezultat i COVID-19 deri në qershor të këtij viti.
“Ne e dimë se gratë marrin përgjegjësinë më të madhe për t’u kujdesur për familjen; fitojnë më pak, kursejnë më pak dhe kanë dukshëm më pak vende të sigurta pune”, ka thënë Mlambo-Ngcuka.
Në përgjithësi, pandemia do të shtyjë 96 milionë persona tjerë në varfëri ekstreme deri vitin e ardhshëm, ku gati gjysma do të jenë gra apo vajza, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara.