Pandemia e protagonizmit!

Prishtinë | 21 Maj 2020 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Gjatë kohës së pandemisë kemi parë një mobilizim të jashtëzakonshëm të shumë organizatave, bizneseve, qytetarëve vullnetmirë etj, për t’iu dalë në ndihmë familjeve në nevojë. Nga përvoja më Vullnetarët /Volunteers #COVID-19 jam i mahnitur me gatishmërinë e popullit tonë për të ofruar ndihmë.

Por ajo çfarë është shqetësuese në tërë këtë angazhim, është vrapi i shumë udhëheqësve të institucioneve për të treguar protagonizëm, duke tentuar të “kapin” secilin prej veprimeve të njerëzve vullnetmirë. Shkohet aq larg sa që udhëheqës institucionesh bëjnë edhe shpërndarje të pakove ushqimore të cilat në shumicën e rasteve dhurohen nga bizneset dhe organizata të ndryshme humanitare.

Kjo ndodhë kryekëput për të tentuar t’i bindin qytetarët që këta brengosen dhe kujdesen për nevojat e tyre në këtë kohë. Në fakt është komplet e kundërta, kjo e shpërfaq të vërtetën e hidhur që në vendin tonë akoma kemi shumë familje të cilat vuajnë për bukën e gojës dhe për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet.

Fakt tjetër për këtë është situata në të cilën ndodhet Kryqi i Kuq i Kosovës si një prej organizatave më të thirrura për t’u ndihmuar rasteve në nevojë por edhe organizatave tjera të cilat kanë përvojë dhe kredibilitet në këtë fushë. Nëse vërtetë do të ishte i sinqertë angazhimi i këtyre “protagonistëve” institucionalë atëherë i gjithë kontributi i tyre do të orientohej drejt Kryqit të Kuq e pse jo edhe organizatave tjera të cilat njihen për ndihmën për komunitetet në nevojë. Është për të ardhur keq që këto organizata kanë mungesë të kapaciteteve në shumë raste edhe elementare për të reaguar në situata sikur kjo e tanishmja me Pandeminë COVID-19 edhe pse kërkesat prej tyre janë të rregullta. Por, jo, fatkeqësisht askush nuk merret me ta dhe në momentin e parë të mundshëm shohim edhe kryetarë komunash dhe drejtues tjerë të institucioneve duke e bërë rolin e udhëheqësve të organizatave humanitare madje edhe duke u thirrur me mburrje kinse në punën vullnetare që po e bëjnë.

Ndajeni mendjen të nderuar, ose merruni me punët për të cilat jeni të zgjedhur ose ikni nga aty, shitni pasuritë e juaja, themeloni fondacione dhe pastaj mund të keni një të drejtë për t’iu kërkuar të tjerëve të ndihmojnë për bamirësi. Përndryshe, ndihmën më të madhe që mund ta bëni në këtë kohë është të mbylleni në zyrat e juaja, t’i ftoni organizatat që punojnë për komunitetin, posaçërisht Kryqin e Kuq dhe të hartoni politika dhe plane që këto organizata të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre ashtu siç bëhet në tërë botën normale. Harrojeni për pak kohë garën për vota dhe të paktën njëherë në jetën tuaj tregoni që më të vërtetë kujdeseni që diçka në këtë vend të bëhet si duhet.

Në një shoqëri ku një pjesë e madhe e qytetarëve janë bërë për
“vitra”, ka më së paku nevojë për marketing humanitar nga udhëheqësit e shtetit.

Kujdes!

Të ngjashme