Në muajin shtator të këtij viti janë planifikuar të mbahen dy gara: “Maratona 2020” në atletikë dhe gara e çiklizmit “Tour de Kosova”. Por dy ngjarjet më të mëdha në vend në këto dy sporte mund të anulohen këtë vit, nëse do të ketë numër të madh të personave të infektuar me koronavirus në vend, që të enjten e ka kaluar shifrën 3000.
Qeveria e vendit të mërkurën ka marrë vendim që për afat të pacaktuar të mos lejojë tubime publike me më shumë se 50 persona. Nga zyrtarët e federatave të të dyja sporteve është vlerësuar se anulimi i mundshëm do t’u shkaktonte dëm të madh sportistëve, por edhe shtetit të Kosovës. Edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) thonë se shëndeti i sportistëve do të jetë në rend të parë. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Atletike të Kosovës (FAK), Abdurrahman Shkodra, nuk ka përjashtuar mundësinë e anulimit të maratonës. Por ai insiston se përgatitjet janë bërë qysh muaj më herët, raporton KOHA.
“Këtë vit kemi planifikuar ta mbajmë për herë të parë maratonën dhe gjysmëmaratonën. Jemi duke menduar ta organizojmë më 27 shtator, gjithnjë nëse mundemi, pasi siç po shihet ka gjasa edhe të mos mbahet. Por, nuk i dihet ende, jemi në pritje të qetësimit të situatës. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet qysh në muajin prill”, ka thënë Shkodra të enjten për KOHËN.
Në fakt, më 19 prill ishte planifikuar të mbahej “Maratona e Prishtinës”, por që një ditë më herët ishte njoftuar nga FAK-u për shtyrjen e saj më 27 korrik. E as kjo datë nuk është e sigurt, ndonëse Shkodra thotë se kontaktet janë të vazhdueshme me atletët e huaj, përfshirë edhe të Kenisë që kanë dominuar në gjysmë-maratonën e Prishtinës në vitet e fundit. FAK-u, qysh pas përfundimit të gjysmë-maratonës së vitit të kaluar pati premtuar se gjysmë-maratona do të shndërrohet në maratonë të plotë, pra gara kryesore nuk do të jetë vrapim në 21 kilometra, por vrapim në 42 kilometra e 195 metra. Së fundi është thënë se rreth 1200 pjesëmarrës patën marrë pjesë në vitin 2019.
Për Federatën e Atletikës ky edicion, që është i 20-ti me radhë, është edhe i pari që planifikojnë ta mbajnë maratonën, meqë në vitet e kaluara ka qenë gjysmëmaratonë.
“Kontaktet me atletët e shteteve të botës jemi duke i mbajtur të rregullta dhe jemi duke u përgatitur për ta mbajtur, pasi nuk po mund të mendoj që nuk mbahet. Do të ishte humbje jo vetëm për atletikën, por për krejt Kosovën. Do ta humbë një reklamë të madhe Kosova, pasi është e hapur si ngjarje për të gjithë qytetarët e botës. Maratona është një urë lidhëse e të gjitha kombeve dhe promovimi më i mirë që i bëhet një shteti”, ka theksuar Shkodra.