Pas pandemisë, kur të gjithë sektorët e tjerë do t’i kthehen normalitetit, shëndetësia publike do të përballet me një tjetër sfidë.
Prej fillimit të pandemisë është ndërprerë trajtimi i rasteve joemergjente.
Një gjë e tillë ka bërë që listat e pritjes për shumë shërbime të rriten.
Pas gjendjes emergjente të shëndetit, pacientët duhet të presin radhën për të marrë këto shërbime.
Siç ka mësuar KOHA, listat e pritjeve janë rritur në pothuajse të gjitha shërbimet.
Në QKUK kanë dhënë të dhënat vetëm për Klinikën e Ortopedisë.
Për këta muaj lista e pritjes për tri shërbime shëndetësore është 170. Kjo shifër është për tri shërbime: për protezë të kërdhokullave, proteza të gjunjëve dhe për ligamente.
Në listë për ndërhyrje ka pacientë që presin prej vitit 2017.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë në përgatitje të hapjes së shërbimeve specialistike.
Grafika: “Në këtë fazë të hapjes graduale lejohet veprimtaria e spitaleve, veprimtaria e mjekësisë së përgjithshme dhe veprimtaria e mjekësisë së specializuar. Duke e parë trendin e mirë sa i përket situatës epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë ditëve të fundit, MSh dhe SHSKUK kanë filluar të përgatiten për rikthimin gradual të shërbimeve mjekësore specialistike të nivelit terciar dhe sekondar”, ka thënë Faik Hoti, drejtor i Informimit në MSH.
Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve ka thënë se e mirëkuptojnë ndaljen e ndërhyrjeve dhe trajtimeve joemergjente në fillim të pandemisë, porse tani duhet t’i kthehen normalitetit.
Rastet elektive nuk janë duke u trajtuar nga gjysma e marsit, si masë parandaluese kundër virusit.
Vitet e kaluara institucionet shëndetësore janë lavdëruar se kanë arritur t’i heqin listat e pritjes, siç janë ato për stentime e për shërbime radiologjike.