Tregjet ndërkombëtar të kapitalit e nisën ditën e parë tregtare të kësaj jave në rënie. Trazirat nisën me sesionin tregtar aziatik, ku indeksi i Japonisë, Nikkei, pati rënien më të madhe ditore në 3 muaj.
Kjo erdhi prej shqetësimeve mbi ekonominë botërore, gjë që bëri që investitorët të blejnë aktive të sigurta si metalet e çmuara dhe titujt qeveritar të borxhit.
Nikkei i Japonisë, pati rënie me 3%, duke prekur 20,977 pikë, që është niveli më i ulët që prej Shkurtit dhe rënia më e madhe që prej muajit Dhjetor.
Në Korenë e Jugut, indeksi i titujve të kapitalit KOSPI ra me 1.9%, në 2,144 pikë në total. Edhe bursat europiane e nisën ditën e parë të kësaj jave në territor negativ, ndërkohë që indekset në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, u hapën në rënie. Ditën e fundit tregtare të javës që kaloi, interesat e borxhit 3-mujor në SHBA, kalouan atë të titujve 10-vjeçar për të parën herë që prej vitit 2007.
Përmbysja e kurbës së yield-it përbën një tregues se ekonomia më e madhe në botë mund të “zhytet” në recesion. Ari , jeni japonez dhe titujt e borxhit pësuan rritje, pasi investitorët i’u drejtuan për të shmangur rreziqet. Ari preku 1,316 dollarë për onz në në nisje të javës dhe ka treguar rritje për 3 javë radhazi.