Deputetja e Partisë Socialdemorakte, Shqipe Pantina, ka komentuar emërimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se emërimi i tij është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.
“Pa dashur të paragjykojë nëse kandidati i përzgjedhur nga bordi i RTK-së është kompetent dhe i ka plotësuar të gjitha kriteret (për këtë përgjegjësinë e mbanë Bordi si organi i thirrur për të bërë përzgjedhjen) procedura me të cilën është emëruar Drejtori, është në kundërshtim me ligjin”, ka shkruar ajo.
Ajo thotë se, sipas nenit 31 të Ligjit për RTK-në,drejtori i Përgjithshëm i RTK emërohet me dy të tretat e votave të anëtarëve të bordit, ndërsa neni 25 thotë se Bordi i RTK-së i ka 11 anëtarë. Rrjedhimisht emërimi i Drejtorit vetëm me votat e 6 anëtarëve të bordit është i kundërligjshëm.
“Është për keqardhje që për here të dytë Bordi i RTK dështon ta emërojë Drejtorin e Përgjithshëm, dhe kjo flet edhe për faktin se sa i politizuar është ky institucion dhe për nevojën imediate që RTK t’i kthehet publikut”
Ajo i ka bërë thirrje Bordit që të reflektojë mbi vendimin e vet dhe të rinisë procedurat që në një afat sa më të shpejtë të emërojë drejtorin e ri të RTK.