Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, ka kritikuar prindërit e Edon Zhegrovës, për ndërhyrje në vendimin se për cilin ekip përfaqësues të luajë.
Zhegrova, i njohur si “Messi kosovar”, pritet të debutojë për Kosovën në miqësoret ndaj Madagaskarit dhe Burkina Fasos në fund të muajit mars, por më parë ishte përfolur se do të luajë për Shqipërinë. Sipas Panuccit, ylli i Genkut kishte zgjedhur Shqipërinë, por më pas ndikoi babai i tij që të kalojë te Kosova.
“Kemi biseduar me lojtarin. Ishte i gatshëm të vinte me Shqipërinë. Në momente të tilla, prindërit në shumë raste janë shkatërrimi i fëmijëve të tyre edhe si lojtarë. Kaq dhe pikë”, ka thënë Panucci në konferencën për media, raportojnë mediat shqiptare.
Ai ka shtuar se nëse dikush i thotë një herë jo për kombëtare, “nuk vjen më kurrë sa të jem unë trajner”.
Panucci ka qenë i ashpër edhe kur është pyetur nëse do t’i përcjellë lojtarët që kanë refuzuar Shqipërinë.
“Ata nuk kanë bythë të bëjnë zgjedhje. Pyesin familjarët, më pas vendosin. Nuk më duhen lojtarë, të cilët nuk kanë bythë të luajnë”, është shprehur ai.