Situata e krijuar me pandeminë Coronavirus përveçse po konsiderohet si një rrezik i shtuar për gjendjen shëndetësore të qytetarëve, po kthehet edhe në një rrezik të konsiderueshëm për ekonominë e Kosovës.
Qytetarët dhe bizneset tashmë janë në panik jo vetëm për krizën ndaj Coronavirusit po edhe atë ekonomike.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha në një intervistë për Ekonomia Online, ka paralajmëruar se punëtoret mund të mos kenë para për të blerë ushqim, nëse Qeveria e Kosovë nuk përkrah sektorin privat.
Madje, siç ka thënë ai, shumë biznese kanë liruar punëtorët e tyre, si pasojë e mungesës së kapaciteteve për t’i paguar ata.
“Për fat të keq jemi në një situatë politike që sot po besojmë që kjo Qeveri do të jetë deri në fund të krizës së kësaj pandemie dhe do ta ketë lirinë për të vepruar edhe në aspektin ekonomik. Është mese e nevojshme që këto masa të ndërmerren sa më shpejtë. Jemi në një fazë kritike, ekonomia është në rënie të lirë dhe të gjithë indikatorët janë duke shënuar rënie duke përfshirë qarkullimin e bizneseve, kemi raste ku biznesi ka liruar punëtorët nga puna për shkak të mospasjes së kapaciteteve të mjaftueshme financiare për t’i paguar pagat e tyre, ka biznese që qëndrojnë më mirë, disa prej tyre prapë i kanë dërguar në shtëpi punëtorët me një pagë për muajin mars por muaji prill do të jetë muaji kritik për ekonominë e Kosovë”.
Ai shtoi se viti 2020, është vit i humbur për ekonominë e Kosovës. Teksa flet për këtë, Panxha thotë se rënia drastike e konsumit do të vërehet për shkak të rënies së importit, mungesës së TVSh-së e shumë indikatorë tjerë.
Për këtë, ai ka kërkuar nga Qeveria që të dalë me një pako stimuluese financiare për bizneset, që sado pak të ulë ndikimin negativ që ka kjo pandemi në ekonomi.
“Pra në këtë periudhë do të dalin në pah të gjitha pasojat që janë duke shkuar në ekonomi, si pasojë e Coronavirusit. Muaji prill do të përballemi me rënie drastike të konsumit, si rrjedhojë e importit, qeveria do të ketë më pak të hyra nga tatimet, nga doganat, nga TVSh-ja, disa tatime veç janë shtyrë. Pastaj një pjesë e mirë e sektorit privat nuk do të kenë mjete financiare për shkak që nuk i marrin pagat, kemi shumë biznese të vogla dhe shërbime të cilat janë të mbyllura që nga fillimi i marsit, prandaj ne bëjmë apel te qeveria që sa më shpejtë të dal me një pako stimuluese financiare që nuk themi se do ta ringjall sektorin ekonomik sepse viti 2020 është vit i humbur për ekonominë e Kosovës por së paku të ulë ndikimin negativ që e ka Coronavirusi në ekonomi”, ka thënë ai.
Ai ka treguar edhe cilat duhet të jenë masat emergjente që duhet të ndërmarrë Qeveria në mbrojtje të bizneseve.
Panxha ka thënë se janë 100 mijë punëtorë të sektorit privat që nuk do të kenë të hyra në muajin mars.
“Masat emergjente janë që të jepen stimuj për rritje të konsumit dhe likuiditetit në ekonomi. Ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se afro 100 mijë punëtorë të sektorit privat nuk do të kenë të hyra për muajin mars. Duhet të bëhet një zgjidhje për këta qytetarë sepse në fund të fundit, kosto e kësaj situate po përballohet nga të gjithë. Kryesorja është që të mbrohet shëndeti publik që është duke u bërë mjaftë mirë nga Qeveria në detyrë, por çka është më rëndësi është edhe shëndeti ekonomik, prandaj që në muajin mars nuk do të marrin paga, kanë nevojë të jetojnë, prandaj duhet të bëhet një zgjidhje”, ka thënë ai.
Shtyrjen e pagesës së tatimeve deri me 30 prill ai po e konsideron afat shumë të shkurtër, duke kërkuar që kjo të bëhet edhe më gjatë.
“Hapi i parë është që të bëhet një pako për përkrahje të punëtorëve të sektorit privat që të marrin një pagë, e dyta është që për bizneset prodhuese, të jepen lehtësira që të vazhdojnë prodhimin, pra nevojitet likuiditet në ekonomi. Shtyrja e tatimeve deri me 30 prill është shumë e shkurtër, nevojitet kohë më shumë, prandaj këto janë dy pikat kryesore që qeveria duhet t’i ndërmarrë urgjent, pastaj duhet të jetë paketa tjetër stimuluese për pjesën tjetër të vitit është shumë më e gjerë edhe përfshinë shumë sektorë të ekonomisë që duhen të ringjallen si pasojë e kësaj pandemie”.
“Një gjë e frikshme është që ne e dimë kur ka filluar kjo situatë por kur përfundon nuk e dimë, prandaj edhe masat që duhet të merren do të jenë masa drastike që nuk janë ndërmarrë më herët nga qeveritë në Kosovë për masat që janë duke ndërmarrë vendet e rajonit dhe më gjerë. Përndryshe, atëherë nuk do të kemi shanse të flasim për ekonomi”, ka thënë ai, për EO.