Papa Françesku e ka quajtur Diego Armando Maradonën poet në fushë.
Në një intervistë me gazetën ditore sportive në Itali, “La Gazzetta dello Sport” Papa ka kujtuar fëmijërinë e tij kur luante futboll.
Ai është fans i madh i Maradonës, që vdiq në nëntor.
“Në fushë ishte një poet, kampion i mrekullueshëm që solli argëtim për miliona njerëz, në Argjentinë e Napoli”, ka thënë Papa Françesku.
Maradona ishte paraqitur për Napolin në periudhën 1984-1991 duke fituar dy tituj të Serisë A dhe një Kupë të UEFA-s. Në vitin 1986, udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës.
Teksa ka shprehur dashurinë për sportin, Papa Françesku ka kritikuar atletët që përdorin doping.
“Dopingu në sport nuk është vetëm mashtrim, është rrugë që shkatërron dinjitetin. Më mirë një humbje e pastër se një fitore e ndytë. Ia uroj këtë gjithë botës, jo vetëm sportit”, ka shtuar ai.