Papa Françesku ishte aq pranë vdekjes saqë mjekët menduan t’ia ndalnin trajtimin

Prishtinë | 25 Mar 2025 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Papa Françesku ishte aq pranë vdekjes në një moment gjatë betejës së tij 38-ditore në spital kundër pneumonisë, saqë mjekët menduan ta ndalonin trajtimin për ta lënë të vdiste në paqe, tha kreu i ekipit të tij mjekësor.

Pas një krize të frymëmarrjes më 28 shkurt, gjatë së cilës Françesku gati u mbyt nga të vjellat, “kishte një rrezik real që ai të mos ia dilte”, tha Sergio Alfieri, mjek në spitalin Gemelli të Romës.

“Duhej të zgjidhnim nëse do ta ndalonim aty dhe ta linim të ikte, apo të vazhdonim dhe t’i përdornim të gjitha ilaçet dhe terapitë e mundshme, duke marrë rrezikun maksimal të dëmtimit të organeve të tjera”, tha Alfieri në një intervistë për Corriere della Sera, të publikuar të martën, shkruan Reuters.

“Në fund, ne e morëm këtë rrugë”, shtoi ai.

Papa Françesku, 88 vjeç, u kthye në Vatikan të dielën pas krizës më të rëndë shëndetësore në 12 vitet e tij të papatit.

Ai u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt për shkak të një bronkiti që u zvhillua në një pneumoni të dyfishtë, një gjendje veçanërisht serioze për të, pasi në rininë e tij kishte vuajtur nga pleuriti dhe i ishte hequr një pjesë e një mushkërie.

Vatikani ofroi një nivel të pazakontë detajesh në përditësimet e tij ditore mbi gjendjen e papës gjatë qëndrimit në spital, duke përfshirë katër “kriza respiratore” me kollitje të forta të shkaktuara nga ngushtimet e rrugëve të frymëmarrjes, të ngjashme me sulmet e astmës.

Alfieri kishte deklaruar më herët se dy nga këto kriza ishin kritike, duke e vënë Papën “në rrezik për jetën”. Në intervistën e fundit, mjeku tha se ishte infermieri personal i Papës ai që, pas episodit të të vjellave, i udhëzoi mjekët ta vazhdonin trajtimin.

“Provoni gjithçka; mos u dorëzoni”, ishte mesazhi nga Massimiliano Strappetti, infermieri i Papës, siç e rrëfen Alfieri.

“Për ditë të tëra, po rrezikonim dëmtimin e veshkave dhe palcës kockore, por vazhduam, dhe trupi i tij iu përgjigj ilaçeve, ndërsa infeksioni në mushkëri u zbut”, tha Alfieri.

Papa Françesku është urdhëruar të vazhdojë me një periudhë të mëtejshme dymujore pushimi pasi doli nga spitali, për t’u shëruar plotësisht. Nuk është ende e qartë se sa shpesh do të shfaqet në publik në javët e ardhshme.

Duke rikujtuar daljen e parë publike të papës pas shtrimit në spital, kur ai u shfaq në ballkonin e spitalit për t’i përshëndetur mirëdashësit të dielën, Alfieri tha se ai ishte momenti që e preku më shumë gjatë gjithë trajtimit të Papës.

“E pashë të dilte nga dhoma në katin e 10-të të spitalit Gemelli, i veshur me të bardha”, tha mjeku. “Ishte emocioni i të parit të njeriut të bëhej sërish papë”.

Të ngjashme