Papa Françesku bëri thirrje të dielën për bisedime mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, për ta kthyer paqen në Nagorno-Karabak, duke shtuar se ky rajon është duke përjetuar krizë humanitare.
“E kam ndjekur situatën dramatike të zhvendosjes së njerëzve nga Nagorno-Karabaku në ditët e fundit dhe e përsëris thirrjen time për bisedime mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke shpresuar se bisedimet mes palëve do ta sjellin një marrëveshje afatgjate, e cila do t’i japë fund krizës humanitare”, tha papa të dielën.
Më shumë se 100.000 refugjatë kanë mbërritur në Armeni që prej operacionit ushtarak të Azerbajxhanit për ta rimarrë kontrollin në Nagorno-Karabak, tha të shtunën Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Armenë etnikë në një rimorkio duke u larguar nga Nagorno-Karabaku drejt Armenisë.
Më 28 shtator, liderët e Republikës së Nagorno-Karabakut kanë thënë se entiteti i tyre, i stilit separatist, do të pushojë së ekzistuari prej 1 janarit.
Presidenti i Karabakut, Samvel Shahramanian, tha se ky vendim është marrë pas situatës së krijuar dhe pasi Azerbajxhani e ka fituar kontrollin e plotë në këtë rajon.
Në dekretin e tij është përmendur arritja e një armëpushimi javën e kaluar për t’iu dhënë fund luftimeve.
Nagorno Karabaku, i njohur si Artsak nga armenët, është një zonë malore pa dalje në det, në Kaukazin e Jugut.
Territori njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por banorët e tij janë kryesisht armenë etnikë dhe kanë Qeverinë e tyre, e cila ka pasur vazhdimisht lidhje të ngushta me Qeverinë në Armeninë fqinje, por nuk është njohur zyrtarisht prej saj apo shteteve të tjera anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Armenët, të cilët janë të krishterë, pretendojnë se kanë një dominim të gjatë historik në këtë zonë, që daton disa shekuj para Krishtit.
Azerbajxhani, banorët e të cilit janë kryesisht myslimanë, e lidh gjithashtu identitetin e tij historik me këtë territor. Ai i akuzon armenët për dëbimin e azerbajxhanasve që kanë jetuar aty në vitet 1990.