Norma e papunësisë në Greqi ra në 20.1 për qind në muajin mars sipas shërbimit statistikor të vendit, ELSTAT. Sipas të dhënave të publikuara të enjten, marsi numëronte në Greqi 956 260 persona të papunë, kryesisht të rinjtë e moshave deri në 24 vjeç.
Ndërsa për personat e grupmoshës 15 deri në 24 vjeç, shkalla e papunësisë u ul në 43.2% nga 45.2% që ishte në po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Papunësia në Greqi, e cila arriti një rekord të lartë prej 27.9 për qind në shtator 2013, ka ardhur duke u ulur ndër vite, por mbetet më e larta në eurozonë.
Qeveria pret që ky tregues të bjerë në 18.4 për qind këtë vit, bazuar në parashikimet në buxhetin e saj 2018.
Ndërkohë, sipas Eurostat, papunësia në 19 shtete të Eurozonës ishte e qëndrueshme në nivelin 8.5% në muajin mars, shifër kjo e cilësuar si më e ulëta që prej shtatorit të vitit 2008.