Me rastin e shënimit të Ditës Botërore kundër Duhanit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) organizuan një konferencë për media, ku u bë thirrje për masa të reja dhe më të rrepta kundër ndikimit të industrisë së duhanit, sidomos tek të rinjtë, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë , Arben Vitia, tha se duhani vazhdon të jetë një ndër sfidat më serioze të shëndetit publik. Ai bëri të ditur se do të rrisin numrin e inspektimeve në hapësirat, ku është e ndaluar duhanpirja.
“Sot në botë, mbi 8 milionë njerëz humbin jetën çdo vit nga përdorimi i duhanit. Në Kosovë, sipas Studimit STEPS 2019, përdorimi i duhanit te të rriturit është në rënie krahasuar me vitin 2011 – apo hulumtimin paraprak. Ky është një trend inkurajues që dëshmon efektivitetin e politikave të deritanishme, por një trend i pamjaftueshëm për qëllimet tona.Kontrolli i duhanit është sfidë kompekse pa diskutim – jo vetëm te ne por kudo. Por, përkundër sfidave, rezultatet nuk kanë munguar”.
“Nga të arriturat e prekshme pa dyshim është edhe miratimi dhe zbatimi i Udhëzimit Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara Shëndetësore në pakot e duhanit, që hyri në fuqi vitin që shkoi dhe shënon një prej masave më të rëndësishme në edukimin vizual të konsumatorëve për dëmet shkatërruese të konsumimit të duhanit. Ka pasur progres edhe në fuqizimin e taksave si mjet efikas për uljen e konsumit të duhanit. Rritja e akcizës në 65 euro për kg sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është një tjetër sinjal që politikat fiskale po japin efekt”.
“Prandaj në bashkëpunim me Ministrinë e Financave po përgatisim një plan për angazhimin e rreth 100 vetave shtesë që ligji të zbatohet me përpikëri. Gjithashtu janë realizuar fushata të vazhdueshme edukuese dhe materiale vetëdijësuese në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si OBSh dhe AQH – në shkolla, institucione shëndetësore dhe nëpër rrjetet sociale. Po punojmë në përditësimin dhe fuqizimin e Kornizës ligjore dhe mbrojtjen nga ndikimi i industrisë përmes Projektligjit të ri gjithëpërfshirës duke adresuar çështjen e produkteve të reja të duhanit dhe produkteve të ndërlidhura që nuk janë të rregulluara mjaftueshëm me ligjin ekzistues”, tha ai.
Arben Lila nga Qendra për Avokim dhe Zhvillim (KADC) tha se industria e duhanit po përdor mjete gjithnjë e më të sofistikuara për të shënjestruar të rinjtë.
“Ne jemi këtu sot për të ritheksuar mbështetjen tonë për draft- Ligjin e ri për Kontrollin e Duhanit, i cili përmban masa thelbësore dhe të domosdoshme për të mbrojtur brezat e rinj: ndalim të plotë të reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, përfshirë ato në platformat digjitale; zbatim të paketimit standard (plain packaging) për të larguar çdo efekt joshës vizual si dhe ndalimin e shijeve të ëmbla frutash që targetojnë posaçërisht fëmijet dhe të rinjtë. Ky ligj është një hap i guximshëm, por i drejtë”, tha ai.
Zëdhënësi i IKSHPK-së, Faik Hoti, tha se rezultatet e hulumtimeve tregojnë një ulje të përdorimit të duhanit pas hyrjes në fuqi të ligjit për kontrollin e tij.
“Që nga hyrja në fuqi të ligjit për duhanin, hulumtimet që janë zhvilluar nga instituti, për fat të mirë, kanë nxjerrë edhe atë që ka qenë synim i ligjit: ulje të numrit të përdorimit të tij. Ajo çka duhet të bëjmë më shumë është ndalimi i reklamimit (të duhanit)”, tha ai.
Dita Botërore Pa Duhan (WNTD) shënohet në mbarë botën çdo vit më 31 maj, me ç’rast informohet publiku për rreziqet e përdorimit të duhanit
