Ministrja e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, njëkohësisht kryesuese aktuale e OSBE-së, para se të vinte në Prishtinë për një vizitë zyrtare, qëndroi në Beograd.
Atje ajo u interesua për situatën me protestat dhe kërkesat e tyre drejt qeverisë serbe, si dhe për kushtet në të cilat po funksionon shoqëria civile.
Valtonen vuri në dukje se qeveria atje i ka shtypur me dhunë protestat që shpërthyen kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiq.
“Në muajt e fundit, në Serbi ka pasur protesta në shkallë të gjerë pothuajse çdo ditë. Kryesisht, studentët kanë qenë pas tyre. Qeveria gjithashtu i ka shtypur demonstratat me dhunë. Vizitova kryeqytetin e Serbisë, Beogradin, për t’u njohur me situatën si kryesuese e OSBE-së. E filluam ditën duke u takuar me stafin në terren të OSBE-së, si dhe me një sërë të gjerë përfaqësuesish nga shoqëria civile. Diskutuam situatën në vend dhe protestat, mbrojtjen e kushteve të funksionimit për shoqërinë civile dhe kërkesat e aktorëve ndaj qeverisë së vendit”, ka shkruar Valtonen në X.
Serbiassa on viime kuukausina ollut laajamittaisia protesteja lähes päivittäin. Pääasiassa niiden takana ovat olleet opiskelijat. Hallinto on tukahduttanut mielenosoituksia myös väkivalloin.
— Elina Valtonen (@elinavaltonen) September 16, 2025
Vierailin Serbian pääkaupungissa Belgradissa perehtymässä tilanteeseen Etyjin… pic.twitter.com/95CbQp2uWp
Ajo atje njoftoi se është takuar me kryeministrin serb Macut, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe kryetaren e Parlamentit, Ana Bërnabiq.
“Theksova se si liria e tubimit paqësor është një shtyllë qendrore e demokracisë”.
Më pas, kryediplomatja finlandeze shpalosi kërkesat e porositë që ia la krerëve serbë në Beograd. Mes tyre si kusht për rrugën e Serbisë drejt BE-së ishte edhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
“Serbia është një shtet pjesëmarrës në OSBE dhe një vend kandidat për në BE. Ne duam ta mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Parakushti i saj është që qeveria e vendit të çrrënjosë korrupsionin, të zbatojë reforma që forcojnë sundimin e ligjit dhe liritë e njerëzve dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën”./Express/