Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, po qëndron në Bruksel, ku do të takohet me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviqin, me të cilin do të dialogojnë për gjetjen e një zgjidhjeje për uljen e tensioneve në veri të Republikës së Kosovës.
Mirëpo, para takimit me Petkoviqin, Bislimi është takuar me sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.
Berger i cili publikoi fotografi nga ky takim, tha se është e rëndësishme që palët të de-eskalojnë situatën dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve.
Sipas tij, zhvillimi i negociatave është në interes për të dyja shtetet.
“Ishte kënaqësi të takoja zëvendëskryeministri e Kosovës, Besnik Bislimin sot, në lidhje me dialogu Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe. E rëndësishme për të dy palët tani është de-eskalimi i situatës dhe kthimi sa më i shpejti në tryezën e negociatave. Përparimi në dialog është në interes të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai në Twitter.