I pari i vendit, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri Famir Limaj janë takuar sot në presidencë për të diskutuar rreth vendimit të taksës prej 100 për qind të vendosur për të gjitha produktet serbe dhe boshnjake, pak orë para se Thaçi ta takohet me komisionerin evropian që do të sjellë mesazh për taksën, mëson Gazeta Express.
Përderisa i pari i shtetit është treguar i rezervuar për vendimin e qeverisë Haradinaj për taksën prej 100 për qind, tjetër qëndrim pati zëvendëskryeministri Limaj.
E kjo, siç duket ka qenë temë diskutimi në mbledhjen që kanë mbajtur të dy në presidencë, pak orës para vizitës së komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
Ndërkaq, gjatë ditës, krerët e shtetit pritet të takohen me komisionerin evropian, Johannes Hahn, i cili gjatë ditës është takuar edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Fokusi kryesor i vizitës së Hahn, do të jetë vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Ai gjatë vizitës pritet ta përsërisë thirrjen për revokimin e taksës dhe të nënvizojë nevojën për fokusim në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.