Ndonëse ende nuk janë shpallur zgjedhjet partitë politike kanë nisur t’i bëjnë konfiguracionet e tyre për qeverinë e ardhshme, por duke e bojkotuar PDK-në. Vlerësohet se pa dëshirë PDK-ja do të shkojë e vetme në zgjedhje, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme pothuajse të gjitha subjektet politike janë shprehur se nuk duan koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila tash e sa kohë ka zgjedhur të heshtë për sa i përket lidhjes së bashkëpunimeve me partitë tjera. Ndonëse nuk kanë vendosur vija të kuqe për asnjërën prej tyre, PDK-ja as nuk është deklaruar se me cilën prej partive do të ishte më e përafërt për koalicion parazgjedhor.
Koalicioni me PDK-në nuk po parapëlqehet as nga LDK-ja, LVV-ja, AAK-ja e PSD-ja.
Mirëpo, edhe AKR-ja e Nisma deklarativisht nuk janë pro një aventure parazgjedhore me PDK-në ose me ndonjë parti tjetër.
Kësisoj, njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se Partia Demokratike e Kosovës mund të shkojë e vetme në zgjedhje jo pse kështu do të vendosë ajo, por për shkak se do të detyrohet të bëjë një gjë të tillë, si rrjedhojë e bojkotit që po i bëjnë partitë e tjera politike, madje edhe nga ato që deri para një muaji kanë qenë partnere në bashkëqeverisje.