Paraburgim ndaj të miturit i dyshuar për veprën penale kontrabandimi me migrant.
Gjykata Themelore në Ferizaj, departamenti për të mitur ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit, i dyshuar për kontrabandimin e pesë kinezëve.
Në njoftim bëhet e ditur se i mituri fillimisht ishte takuar dhe kishte komunikuar me personat në fjalë në Serbi dhe kishin bërë marrëveshje që për secilin person të marrë pagesë në vlerë prej 20 euro.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur – Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 21 tetor 2025, rreth orës 20:20 minuta, në fshatin S., Komuna Hani i Eleezit, në koordinatat e MGRS, i mituri me qëllim të kontrabandimit me migrant ka organizuar – kontrabanduar kalimin e jashtligjshëm të migrantëve”.
“Saktësisht 5 persona me shtetësi Kineze dhe atë X.G., P.Zh., Z.W., L.H.1., L.H.2., duke kaluar vijën kufitare Kosovë – Maqedoni e Veriut, në atë mënyrë që i mituri fillimisht ishte takuar dhe kishte komunikuar me personat në fjalë në shtetin e Republikës së Sërbisë dhe kishin bërë marrëveshje që për secilin person të marrë pagesë në vlerë prej 20.00 €, më pas i merr personat në fjalë nga shteti i Sërbisë, hyjnë në shtetin e Kosovës, ku i mituri siguron një automjet, ku e drejton një person deri më tani i panjohur dhe i fusin në veturë që të gjithë, më pas të njëjtit i dërgon në drejtim të shtetit të Maqedonisë, saktësisht tek vija kufitare Kosovë – Maqedoni e Veriut, ku aty nga njësiti patrollues kufitar janë vërejtur dhe kanë arritur ti ndalojnë që të gjthë dhe ti shoqërojnë në stacionin policor kufitar në Rajonin Lindje Kaçanik, ku i mituri është arrestuar”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit të mitur e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.